Tragjedia në Gjilan: Krejt çka dihet deri me tash për vrasjen e gruas, mikut dhe plagosjen e një personit tjetër
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Gjilanin, ku dy persona, një burrë dhe një grua rreth 30-vjeçarë, janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur. Rasti ka ndodhur të premten, më 9 tetor 2026, rreth orës 14:25, kur Policia e Kosovës…
Lajme
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Gjilanin, ku dy persona, një burrë dhe një grua rreth 30-vjeçarë, janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Rasti ka ndodhur të premten, më 9 tetor 2026, rreth orës 14:25, kur Policia e Kosovës ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri, raporton lajmi.net
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, njësitë relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur një burrë rreth 30-vjeçar pa shenja jete brenda një veture.
Ndërkohë, një grua e së njëjtës grupmoshë është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit pa shenja jete. Sipas dyshimeve fillestare të policisë, të dy viktimat janë vrarë nga i njëjti person.
I plagosuri në gjendje të rëndë
Një person tjetër ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dyshime për probleme familjare
Sipas informacioneve që ka siguruar lajmi.net mes të dyshuarit dhe viktimave dyshohet të ketë pasur lidhje familjare. Po ashtu, është raportuar për probleme të vazhdueshme në marrëdhënien e çiftit dhe për një kërkesë të fundit për divorc.
Megjithatë, motivi i mundshëm i ngjarjes dhe rrethanat e plota mbeten për t’u konfirmuar nga organet kompetente.
I dyshuari është vetëdorëzuar në polici
Sipas informacioneve të publikuara më herët, i dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në rast.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të përcaktuar motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Reagimet pas tragjedisë
Ngjarja ka nxitur reagime edhe nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shprehur tronditjen për vrasjen e dyfishtë, duke u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe duke kërkuar hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar përmes një postimi, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse, të dhimbshme dhe të papranueshme. Ajo ka theksuar se asnjë motiv nuk e arsyeton dhunën dhe se asnjë grua nuk duhet të paguajë me jetën e saj për të drejtën për të qenë e lirë.
Hetimet për rastin në Livoç të Ulët po vazhdojnë, ndërsa pritet që institucionet kompetente të japin informacione të tjera lidhur me rrethanat e kësaj tragjedie./Lajmi.net/