Tragjedia në Crans-Montana, mijëra njerëz shkojnë për ngushëllime

Kur 51-vjeçarja Annouk Perret erdhi për të vendosur lule në nderim të viktimave të zjarrit tragjik të Vitit të Ri në një bar në Zvicër, ku humbën jetën të paktën 40 persona në vendpushimin skijues Crans-Montana, ajo e dinte se edhe vetë mund të ishte sot një prind që vajton humbjen e fëmijës. Autoritetet thonë…

Bota

04/01/2026 14:48

Kur 51-vjeçarja Annouk Perret erdhi për të vendosur lule në nderim të viktimave të zjarrit tragjik të Vitit të Ri në një bar në Zvicër, ku humbën jetën të paktën 40 persona në vendpushimin skijues Crans-Montana, ajo e dinte se edhe vetë mund të ishte sot një prind që vajton humbjen e fëmijës.

Autoritetet thonë se shumica e viktimave të zjarrit në barin “Le Constellation” ishin të rinj, në një vend të njohur për rregull dhe siguri dhe që rrallëherë përballet me tragjedi me kaq shumë viktima, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Teksa vendoste lule bashkë me djalin e saj Emile dhe vjehrrën e përlotur Carmen, përpara barit tashmë të rrethuar nga policia, Perret kujtoi se vajza e saj 17-vjeçare kishte dashur të hynte në bar atë mbrëmje, por nuk e bëri për shkak të radhës së gjatë jashtë.

Në vend të kësaj, ajo shkoi me shoqet në një bar përballë. Kur flakët që përfshinë “Le Constellation” shkaktuan një shpërthim, fillimisht menduan se ishin fishekzjarrë; kur policia mbërriti me shpejtësi, grupi mendoi se bëhej fjalë për të shtëna me armë dhe u largua me vrap, tregoi Perret.

Më vonë, familja mësoi se një shoqe tjetër e vajzës së saj kishte vendosur të hynte në “Le Constellation” pak para shpërthimit dhe kishte humbur jetën aty, tha Perret për Reuters.

“Kemi ardhur sot sepse kemi nevojë të jemi këtu. Duhet ta shohim vendin ku ndodhi gjithçka,” tha ajo. “Vajza ime mund të kishte vdekur, por nuk vdiq. Të tjerë nuk patën këtë fat.”

Perret foli në momentin kur autoritetet zvicerane njoftuan se kishin identifikuar edhe katër viktima të tjera, të moshës 16 deri në 21 vjeç, pa bërë publike emrat. Deri tani janë identifikuar shumë pak nga viktimat, pasi djegiet e rënda e bëjnë procesin jashtëzakonisht të vështirë.

Kjo do të jetë një periudhë shumë e rëndë për Crans-Montana, tha ajo – një qytet i pasur me mbi 10 mijë banorë, i njohur edhe për fushën e tij të golfit.

Të shtunën, prokurorët njoftuan se dy personat që menaxhonin barin janë vënë nën hetim penal, të dyshuar për vepra përfshirë vrasje nga pakujdesia.

Damiano Vizioli, 24 vjeç, që jeton në qytetin fqinj Sion, ndodhej në “Le Constellation” natën e Vitit të Ri, por kishte dalë jashtë për të pirë një cigare kur bari u përfshi papritur nga flakët.

Ai tha se mbeti i tronditur kur pa njerëz që përpiqeshin të shpëtonin me rrobat që u digjeshin në trup. Pamjet e tmerrshme që pa e ndjekin ende.

“Nuk po fle mirë, sepse ende i dëgjoj britmat e njerëzve,” tha Vizioli, i cili u kthye në bar në kërkim të dëshpëruar për lajme për një mik që punonte aty dhe nga i cili nuk ka dëgjuar më që prej asaj nate.

Zjarri ka prekur persona të shumë kombësive, me të plagosur dhe të zhdukur nga vende të ndryshme të Evropës dhe madje edhe nga Australia, por shumica e viktimave janë zviceranë.

Mbështetja e ndërsjellë është thelbësore për të përballuar dhimbjen, tha Perret.

“Tani telefonojmë njëri-tjetrin, prind me prind, sepse secili ka fëmijë që ishin aty, ose pothuajse ishin, ose nuk shkuan fare… dhe të gjithë jemi plotësisht të tronditur,” tha ajo.

Ndërkohë, gazetarë nga e gjithë Evropa u dyndën drejt këtij vendpushimi alpin, ndërsa imazhet e zjarrit shkatërrues nisën të qarkullonin në rrjetet sociale.