Tragjedia e minatorëve turq, Erdogan shtyn vizitën në Shqipëri

Kryeministri i Turqisë, Recep Erdogan ka shtyrë vizitën e planifikuar për ditën e mërkurë (nesër) në Shqipëri, për tu solidarizuar me viktimat e aksidentit të minatorëve në krahinën Manisa.

Lajme

13/05/2014 23:38

Shkak për një vendim të tillë është bërë tragjedia e ndodhur pasditen e së martës në një minierë qymyri në Turqi, ku kanë humbur jetën të paktën 20 minatorë, ndërkohë që vlerësohet se edhe 200-300 të tjerë kanë mbetur të ngujuar në horizontet e nëndheshme.

Lajmi për shtyrjen e vizitës së Erdoganit u bë publik nga kryeministri Rama në një postim në Facebook.  

“Bisedë e trishtë më kryeministrin Erdogan për tragjedinë e minatorëve në Turqi dhe mirëkuptim për shtyrjen e vizitës në Tiranë! Me zemër pranë në dhimbje”, shkruan Rama.

Kryeministri turk është dashur të mërkurën të vizitojë Shqipërinë, pas ftesës së bërë homologu i tij, Edi Rama.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryeministri turk, përveç takimeve me kreun e qeverisë, ishte parashikuar të takohej edhe me presidentin Bujar Nishani, kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe të mbante një fjalim të posaçëm në Parlamentin e Shqipërisë.

Recep Tayyip Erdogan dhe Edi Rama ishte parashikuar të drejtonin së bashku edhe takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri-Turqi, që do të zhvillohej nesër.