Trafik përnjëmend Urban

Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes synon ta modernizojë transportin publik në Prishtinë. Edhe me sistem GPS. Shpalosi planin e tij dhe tha se do ta ketë prioritet në Buxhetin e Komunës.

Lajme

13/10/2013 15:22

Shpend Ahmeti po mendon ta modernizojë transportin publik dhe e vë atë në krye të prioriteteve buxhetore të Komunës së Prishtinës, të cilën po kandidon që ta fitojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryeqytetin, të dielën, duke prezantuar parimet e parimet e transportit publik, tha se këto do t’i bëjë me qëllim që qytetarët të transferohen nga një pikë në pikën tjetër, për një kohë shumë të shkurtër.

“Mendojmë që duhet të jetë prioritet në Buxhetin e Prishtinës, në mënyrë që të tërheqim sa më shumë donacione.”

“Trafiku urban është kompani publike dhe do të mbetet kompani publike. Natyra publike e kompanisë do të ndihmojë në tërheqjen e donacioneve. Trafiku urban do të jetë një sistem unik, me rregulla standarde, me shenja të njëjta, ngjyra të njëjta, që të dihet se ky është transporti publik i Prishtinës.”

“Duhet ta shikojmë trafikun urban si aset publik, i cili do të duhej të na rregullonte këtë tollovi që po na shkaktohet nga makinat”.

“ Trafiku urban do të jetë falas për pensionistët, rastet sociale dhe grupet e tjera të rrezikuara”

Shpend Ahmeti propozoi një sistem të ri të linjave, bazuar në MCA, që është një analizë e kritereve të zhvillimit të rrjetit, projekt ky i bazuar sipas analizave të disa kompanive gjermane.

Ky sistem, sipas tij, do bëhet pas 6 muajsh.

“Duhet të ketë një linjë që është në unazën e brendshme të qytetit, pra që në vend që te kemi 7 linja, të ekzistojë vetëm një linjë e cila është e shpeshtë. Pastaj, ta kemi nivelin e dytë të linjave, ku rrugët që vijnë nga Fushë Kosova dhe Veterniku, pra arteriet të lidhen me unazën e brendshme, dhe linja e tretë do të jetë nëpër lagje dhe lokacione më të vogla.”

“Thjeshtësimi i linjave të autobusit, shtrirja e linjave në pjesë të qytetit, largësia nga stacionet duhet të  synohet që të jetë jo më e madhe se 300 metra. Po ashtu, shtrirja e linjave për mbulim të bizneseve. Të zvogëlohen mbivendosjet e linjave dhe të zvogëlohet sa më shumë numri i transferimeve për të mbërritur nga një pikë në pikën tjetër. “

Ahmeti tha se për të pasur një trafiku urban më modern duhet investuar 18 mijë euro për instalimin e sistemit GPS.

“Linja kryesore do ta kenë të instaluar sistemin GPS, që udhëtarët të dijë saktësisht se ku është autobusi dhe kur vjen. Kjo kushton 18 mijë euro. Pra, kur je në stacion ekziston edhe tabela që tregon që autobusi do të jetë në stacion për dy minuta.”

“Do të avancohet sistemi i pagesave me teknologji modern, duke instaluar smart payment, pra me kartelë. “