Tonibler Rama

Tony Blair ka drejtuar sot mbledhjen e Qeverisë Shqiptare, simbolikisht. Ai shkoi nga Britania në Tiranë për t’ia dhënë ndihmën e tij Qeverisë së Edi Ramës, konkretisht. Blair e quajti thellësisht emocional kthimin në Shqipëri.

Lajme

03/10/2013 19:59

Ish Kryeministri i Britanisë, Tony Blair, ka kaluar ditën sot në Tiranë dhe ka drejtuar mbledhjen e Qeverisë Shqiptare.

Ai ka arritur për vizitë në Shqipëri, për të konkretizuar ndihmën e tij ndaj Qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe ka ndarë vizionin e një qeverisje efikase – ku objektivat kthehen në gjëra të prekshme për qytetarët.

Kryeministri Rama ka shpjeguar se Blair ndodhej ne Tirane për të nisur procesin e një bashkëpunimi mbi idenë inovative të një njësie të specializuar për prioritetet dhe të orientuar nga rezultatet.

“Kjo ide inovative ka gjetur mbështetjen aktive të Presidentit të Bankës Botërore Jim Kim.”

“Kam pasur fatin, së bashku me një grup presidentësh dhe kryeministrash të vendeve të ndryshme të botës, që me Kryeministrin Blair dhe me Presidentin Jim Kim, gjatë vizitës në New York të diskutojmë për vënien në jetë të këtij procesi inovativ, që synon ta orientojë qeverisjen nga rezultatet.”

“Kryeministri Blair është pionieri i kësaj njësie që u ndërtua në ‘10 Downing Street’. Kryeministri Blair është në shërbimin tonë personalisht, tërësisht vullnetarisht.”

Rama i ka shprehur mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve Ish Kryeministrit Blair për atë që bëri, për të vepruar në mbështetje të çdo populli që nuk mund të çlirohej dot i vetëm nga një diktaturë, siç ishte rasti i konfliktit në Kosovë.

Blair është një ndër figurat më të adhuruara në Kosovë, pothuajse njësoj sa edhe Ish Presidenti i SHBA’së Bill Clinton.

Për të nderuar atë, shumë fëmijë kosovarë mbajnë emrin Tonibler.

“Marrëveshja e Kosovës me Serbinë falë lidershipit të Kryeministrit Thaçi dhe Kryeministrit Dacic shënon mbylljen e një epoke konfliktesh dhe zvarritjesh të të gjithë rajonit nëpërmes konflikteve që nuk do të ishte bërë e mundur nëse në momentin e duhur, në vendin e duhur, nuk do të ishin dy liderë, ndaj të cilëve Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë përjetësisht mirënjohës, Bill Clinton dhe Tony Blair”, është shprehur Rama.

Toni Blair ka deklaruar se ishte një moment thellësisht emocional kthimi ne Shqipëri, pasi rreth dy dekada më parë ai do të përballej me rajon të futur në konflikt.

“Jam këtu, sepse besoj në këtë vend, besoj tek ky popull, besoj në vizionin e progresit që është përcaktuar për të.”

“Mendoj se ideja e orientimit të vendit drejt Bashkimit Europian është një ide mjaft e rëndësishme dhe do të doja shumë ta shija këtë vend si pjesë e familjes së vendeve europiane, sepse mendohet se është një perspektive mjaft e mirë dhe e jashtëzakonshme për ju.”

“E rëndësishme në të njëjtën kohë për një vend dhe për një Qeveri, sidomos për një Qeveri me mandat të ri, është gjithashtu që të realizojë ato gjëra, të cilat prekin jetën e përditshme të njerëzve në vend”.