Togo, shteti i 107-të që njohu shtetin e Kosovës

Numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën nga dita e sotme ka arritur në 107, pas njohjes së pavarësisë së vendit tonë nga ana e shtetit të Togos në kontinentin afrikan. 

Lajme

02/07/2014 21:32

Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se Togo sapo e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Një lajm tjetër i mirë për Kosovën. Shteti afrikan Togo sapo e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke arritur në 107 njohje”, ka shkruar ai në FB.

Togo është shtet në perëndim të Afrikës, i cili kufizohet me Ganën, Beninin dhe Burkina Faso. Ka sipërfaqe prej 57 mijë kilometrave katrorë, si dhe 6.7 milionë banorë.

Ky shtet bën numrin 107 të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, llogaritur këtu edhe dy njohje të paverifikuara nga Nigeria dhe nga Republika e Malit, që i kishte proklamuar zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli.