Tiranë | Vrau 81 vjeçarin për lekët e kredisë, zbardhet dëshmia: I rashë me çekiç, pas krimit kafe e raki
Vrasja e 81 vjeçarit Xhemal Meta, nga goditja me çekiç në kokë, janarin e këtij viti në fshatin Qafë-Mollë të Tiranës ka pasur si motiv vjedhjen e parave të viktimës për të paguar një mikrokredi. Prokuroria e Tiranës ka mbërritur në këtë përfundim ndaj fqinjit të akuzuar për krimin, 64-vjeçarit Isuf Hasa, duke e rikualifikuar…

Lajme
Vrasja e 81 vjeçarit Xhemal Meta, nga goditja me çekiç në kokë, janarin e këtij viti në fshatin Qafë-Mollë të Tiranës ka pasur si motiv vjedhjen e parave të viktimës për të paguar një mikrokredi.
Prokuroria e Tiranës ka mbërritur në këtë përfundim ndaj fqinjit të akuzuar për krimin, 64-vjeçarit Isuf Hasa, duke e rikualifikuar akuzën e “vrasjes me dashje” të ngritur pas ngjares në “vjedhje me pasojë vdekjen”. Për këtë akuzë, Gjykata e Tiranës ka pranuar së fundmi kalimin në gjyq të çështjes ndaj Hasës, që ka pranuar të jetë autor i krimit.
Sipas vendimit gjyqësor të siguruar nga A2, ditën e ngjarjes i pandehuri Isuf Hasa ishte nisur për tek vajzat e tij, që jetonin në Tiranë e Vorë, në orën 6 të mëngjesit, por se ka ndaluar për një kafe tek banesa e 81 vjeçarit, me të cilin kishin marrëdhënie fqinjësie prej vitit 2003.
Para hetuesve Isuf Hasa ka treguar se jashtë banesës së fqinjit ka gjetur një çekiç që e ka futur nën xhup. Më pas, ata kanë konsumuar bashkë një kafe për 15 minuta, e teksa kanë dalë jashtë, Meta para dhe Hasa pas, ai e ka qëlluar në kokë duke e shembur në tokë. Pasi ka pritur 2-3 minuta,64 vjeçari ka marrë edhe portofolin e viktimës dhe ka shkuar tek kafja e fshatit, ku ka pirë një kafe dhe një dopjo raki, para se të merrte furgonin për në kryeqytet.
“Dua të shtoj se arsyeja që e ndërmora këtë veprim ishte pasi shpesh herë shtetasi Xhemal Meta më thoshte se unë nuk isha burrë pasi rrija 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi dhe se nuk dija se çfarë bënte gruaja ime”, ka dëshmuar Hasa gjatë hetimit.
Në vijim ai ka rrëfyer se 81 vjeçari Mata i kishte thënë disa herë këtë gjë, edhe në prani të bashkëshortes, dhe kjo gjë atij i ishte mbledhur përbrenda. Sipas hetimit, armën e krimit Hasa e ka marrë me vete dhe e ka fshehur pranë banesës së një prej vajzave, ku edhe u gjet nga policia.
Në takimet me vajzat ai i ka lënë atyre shuma parash, 68 mijë lekë tek njëra dhe gati 120 mijë lekë te tjetra, të sekuestruara.
Njërën prej tyre, ai e ka porositur që për çdo muaj të shkonte dhe të bënte pagesa nga 15 mijë lekë për llogari të një mikrokredie të marrë prej tij në një institucion financiar. Në lidhje me veprën penale për të cilën akuzohet Isuf Hasa Kodi Penal parashikon dënim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm./A2CNN/