Thirrjet raciste në Kumanovë, Osmani: Republika Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, shqetësuese që nuk reaguan zyrtarët shtetërorë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se thirrjet antishqiptare në një ndeshje basketbolli në Maqedoninë e Veriut ku ishin të pranishëm edhe krerët e shtetit fqinj, cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”. “Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se thirrjet antishqiptare në një ndeshje basketbolli në Maqedoninë e Veriut ku ishin të pranishëm edhe krerët e shtetit fqinj, cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.
“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha ajo në një deklaratë.
Osmani tha se më shqetësues ishte fakti që zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin maqedonas Hristjan Mickoski nuk reaguan ndaj këtyre thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve.
“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, thuhet në deklaratë.
Osmani tha se “sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, thuhet në deklaratë.
Presidentja tha se Kosova “do ta mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”.