The Sun: Tony Blair po përfiton miliona nga Shqipëria

Shumica e vendeve me të cilat Tony Blair është i përfshirë në lidhje biznesi, janë vende të etiketuara për abuzime tronditëse me të drejtat e njeriut, përfshirë edhe torturat dhe masakrat. Në listën e vendeve tw tilla bën pjesë edhe Shqipëria, ku Blair luan rolin e këshilltarit të kreut të ekzekutivit. 

Lajme

01/02/2015 09:17

Gazeta prestigjioze britanike The Sun i ka kushtuar një artikull të tërë ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe perandorisë së biznesit të tij në shumë vende të botës.

Në shkrimin e gazetarit Phodri Phillips thuhet se shumica e vendeve me të cilat Tony Blair është i përfshirë në lidhje biznesi, janë vende të etiketuara për abuzime tronditëse me të drejtat e njeriut, përfshirë edhe torturat dhe masakrat.

Në listën e vendeve bën pjesë edhe Shqipëria, në të cilën Blair luan rolin e këshilltarit të kreut të ekzekutivit, Edi Ramës. Po ashtu, ai punon me vende si Katari, Arabia Saudite, Kuvajti, Kazakistani dhe Azerbajxhani.

“Ish-kryeministri Blair është duke bërë miliona funte nga vende të akuzuara për abuzime tronditëse të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat dhe masakrat”, shkruan gazeta The Sun.

Në krye të artikullit një paragraf më vete i kushtohet Shqipërisë, për të cilin numërohen problemet me respektimin e të drejtave të njeriut.

“Blair punon si këshilltar vullnetar. Por Amnesty International thotë se “tortura dhe trajtimi i keq i të arrestuarve është e zakonshme në Shqipëri”. Amnesty International shton se “kushtet, në veçanti për të burgosurit në pritje të vendimit gjyqësor në komisariatet e policisë, vazhdojnë të jenë të ashpra, pavarësisht se janë ndërmarrë hapa për të ulur mbipopullimin. Dhuna në familje është tepër e përhapur dhe reforma të mëdha nevojiten të merren për të mbrojtur viktimat”, shkruan The Sun, transmetojnë mediat shqiptare.