Thanë për Ibrahim Rugovën…

Sot bëhen 8 vjet nga vdekja e ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Institucionet dhe partitë politike kanë bërë homazhe me mëngjes te varri i tij, në Lagjen Velani, në Prishtinë, ku kanë vlerësuar lart angazhimin dhe punën e tij për pavarësinë e Kosovës. Rugova është vlerësuar lart edhe nga burrështetas dhe personalitete të njohura…

Lajme

21/01/2014 09:33

Sot bëhen 8 vjet nga vdekja e ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Institucionet dhe partitë politike kanë bërë homazhe me mëngjes te varri i tij, në Lagjen Velani, në Prishtinë, ku kanë vlerësuar lart angazhimin dhe punën e tij për pavarësinë e Kosovës.

Rugova është vlerësuar lart edhe nga burrështetas dhe personalitete të njohura botërore dhe ne në këtë përvjetor po ju sjellim disa nga deklaratat e bëra nga këto personalitet me rastin e vdekjes së Presidentit Rugova, të cilat janë përgatitur nga Qendra për Informim e Kosovës (QIK).

 

Xhorxh Bush, President i SHBA’ve:

Presidenti Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës. Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare.

* * *

Zhak Shirak, President i Francës:

Sot, Franca i jep homazhe rolit historik dhe kurajës politike që animuan Ibrahim Rugovën për të mbrojtur gjatë viteve 1990 të drejtat demokratike të popullit kosovar dhe për të punuar në kthimin e paqes dhe pajtimit në regjionin tuaj. Mungesa e bashkëshortit tuaj, tani kur kanë filluar bisedimet për çështjen e statusit final, bëhet tani edhe më tragjike. Përgjegjësia tani i takon të gjithë përgjegjësve politik për të marrë përsipër amanetin e tij dhe të shpien në të mirë procesin e negociatave me një shpirt realizmi, tolerance dhe dialogu siç e kishte ai. Franca shpreh urimin që Kosova do i tregohet besnike këtij zhvillimi të thellësimit të pajtimit, provë kjo që Kosova do i tregohet besnike këtij zhvillimi të thellësimit të pajtimiy, provë kjo që Kosova duhet të kaloj për t’ju afruar Bashkimit Europian.

* * *

Toni Bler, Kryeminsitër britanik

Presidenti Rugova ishte një forcë e rëndësishme në jetën e Kosovës, për shumë vjet. Popullariteti i tij në mesin e popullit të Kosovës dëshmon për mbështetje të gjerë për përpjekjet e tij joviolente për të ardhmen e Kosovës. Jam shumë i lumtur që kam pasur rastin të takohem me të.

* * *

Alfred Moisiu, President i Shqipërisë

Ibrahim Rugova i dha trajtë politikës në Evropën Juglindore me personalitetin e tij të fuqishëm. Ai promovoi zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë dhe punoi për të ardhmen e Kosovës pa menduar as për shëndetin e vet. “Austria do të vazhdojë me gjithë fuqinë e saj t’i mbështesë përpjekjet për arritjen e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në Kosovë. (Volfgang Shysel, Kancelar i Austrisë) * * * Humbja e Presidentit Rugova është një humbje e madhe dhe e rëndë, jo vetëm për Kosovën, por për cilindo që flet shqip dhe aq më tepër në një moment kaq delikat, kur Kosova po hyn në fazën e negociatave për të fituar Pavarësinë e saj. Presidenti Rugova prej mëse 20 vjetësh ka luftuar, është përpjekur dhe ka bërë çmos që problemi i Kosovës të dalë në rend ndërkombëtar… Gjithë populli shqiptar, gjithë shqiptarët ndjekin me dhimbje të dyfishtë dhe humbjen e Presidentit, e njeriut simbol për Kosovën, e njeriut flamur për Kosovën, e njeriut, i cili shkriu jetën, por fatkeqësisht nuk e arriti deri në fund të realizojë ëndrën e tij të shohë me sytë e tij Kosovën e lirë. Kujtimi i tij do mbetet i paharruar.

* * *

Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë

Sot, me dhimbje të thellë, zi të rëndë, pikëllim të madh, çdo shqiptar mësoi lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, prijësit dhe legjendës së qëndresës qytetare, misionarit të madh të paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan. Doktor Ibrahim Rugova për 18 vjet udhëhoqi qëndresën legjendare të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi, dinjitet. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh. Sot, ai ndahet nga qytetarët e tij që aq shumë e deshën dhe e respektuan, ndahet nga familja, ndahet nga miqtë e tij, por jeta, shpirti, vepra e Ibrahim Rugovës shndërrohet në dritë, në frymëzim për të gjithë qytetarët e Kosovës, që me përkushtim, tolerancë, të çojnë përpara Kosovën, si një shoqëri demokratike të qytetarëve të barabartë përpara ligjit, si një vend të pavarur, i sigurtë në të ardhmen e tij europiane, integrimin në NATO dhe në BE.

* * *

Stjepan Mesiq, Presidenti i Kroacisë:

Shqiptarët e Kosovës më vdekjen e Ibrahim Rugovës, kanë humbur udhëheqësin e tyre, politika e matur e të cilit ishte kruciale në momentin kyç politik në të cilin po futet Kosova. Shpresoj dhe besoj së përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Kosovës do të dinë ta vazhdojnë rrugën e nisur nga ai, duke marrë vendime të qarta për popullin e Kosovës por, duke i ikur ekstremizmit të mundshëm i cili do të ndalonte arritjen e qëllimeve të nisura.

* * *

Pervez Musharaf, Presidentit të Pakistanit

Lufta e Presidentit Rugova për popullin e Kosovës do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë. Besoj se populli i Kosovës, edhepse i veshur në zi, do të gjejë forcë dhe do ta vazhdojë punën dhe për ta forcuar paqen dhe përparimin e Kosovës.

* * *

Ismail Kadare, shkrimtar

Ibrahim Rugova, tash dihet jo më në hapësirën shqiptare, por edhe në atë evropiane dhe botërore është pranuar si një lider i shquar i Kosovës, si një nga liderët më të shquar të kombit shqiptar një njeri që u gjend në kohën e duhur në një moment të historisë shumë, shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar. Kjo dashuri e popullit shqiptar, ky nderim që i bëhet sot, kjo jehonë e tij e dëshmon më së miri këtë që thashë. (Ismail Kadare, shkrimtar) * * * Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona. Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë së lirisë për të. Ai ishte një erudit, më me dëshirë autokrat, i paparashikueshëm dhe fleksibël njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor dhe megjithatë i izoluar, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin ndonjëherë krenar. Dhe afër tij kaloi Historia.

* * *

Shlomo Avinier, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Jerusalemit

E takova Rugovën për herë të parë më 1990 në Cavtat, afër Dubrovnikut, kur Instituti Kombëtar Demokratik, me seli në Uashington, bëri njërën nga përpjekjet e fundit për të sjellë bashkë politikanët, shkrimtarët dhe intelektualët nga grupet e ndryshme etnike në Jugosllavinë që asokohe shpërbëhej me shpejtësi. U largova nga konferenca i bindur se treni tashmë ishte larguar nga stacioni dhe se grupet e ndryshme po shkonin secili në drejtimin e vet dhe të përkushtuar që këtë ta bënin me dhunë. Megjithatë, duke i dëgjuar zërat e ashpër të serbëve dhe të kroatëve, isha i befasuar nga butësia e Rugovës: ja ku ishte një udhëheqës i një grupi që është viktimizuar më shumë se të tjerët e megjithatë aty nuk kishte aspak hidhërim, asnjë sharje, aspak urrejtje. Rugova po ashtu kishe arsye të mjaftueshme personale për të mos falur: edhe babai edhe gjyshi i tij ishin vrarë nga komunistët e Titos në konfliktet civile pas vitit 1945. Duke reflektuar rreth këtij personi të pazakonshëm, patriotik dhe jo të dhunshëm, njeriu nuk mund të përmbahet nga mendimi se sa e ndryshme do të ishte skena jonë në Lindjen e Mesme po të kishin palestinezët një lider si ai. Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por me disa përjashtime të pakëndshme ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij dhe bota duhet t’i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik.

* * *

Dritëro Agolli, shkrimtar

Ibrahim Rugova ka qenë një udhëheqës i veçantë i popullit shqiptar në Kosovë, një udhëheqës që ndryshonte nga shumë udhëheqës shqiptarë, por edhe nga shumë udhëheqës në rajonin e Ballkanit. Udhëheqës të tillë të një forme të afërt ka pasur në botë, siç ishte Gandi, që shumë e krahasojnë Rugovën me Gandin, por siç ishte edhe Martin Luter, por edhe siç ishte Alende i Kilit. Merita e madhe e Ibrahim Rugovës është që e bashkoi popullin në një popull të vetëm që të luftonte për pavarësinë. Edhe ata që ishin për luftë në fund u bashkuan me Ibrahim Rugovën pasi ai ishte një burrë i mençur, dinte t’i zbuste gjakrat, dhe formoi një koalicion edhe me ato forca që kishin një drejtim tjetër për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Eshtë një fat i madh që ai vinte nga letërsi; udhëheqës, e nuk vinte nga politika të bënte më pas vjersha. Mendoj se ne nuk e kemi kuptuar aq mirë Rugovën. Unë e kam kritikuar për anën paqësore të drejtimit të tij, kam bërë edhe ironi me shallin e tij, dhe tani ndjej njëfarë pendese që në atë kohë nuk e kam kuptuar aq shumë. Por tani unë kam kuptuar që nuk kam pasur të drejtë.

* * *

Akademik Mark Krasniqi, shkrimtar dhe kryetar i PSHDK’së

Dr.Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh i kohës së re, ai është autor i shkrimit dhe i bërjes së historisë së lavdishme të Kosovës në këto dy decenie të fundit. Presidenti Ibrahim Rugova ishte burrështetasi i parë e më imadhi i Kosovës i cili krijoi miqësi të përhershme me vendet demokratike të Evropës e botës, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr.Ibrahim Rugova është lideri i parë i shqiptarëve u cili vuri themelet e shtetit të Pavarur të Kosovës. Ai është i pari Kryetar i Shtetit të Kosovës, i Kosovës së lirë e demokratike, i Kosovës së Pavarur. Burrat e mëdhenj e shkruajnë vetë historinë! Burrat e mëdhenj nuk vdesin kurrë! Presidenti Ibrahim Rugova, ishte një burrë i madh i Pavarësisë së Kosovës!

* * *

Rexhep Ismajli, kryetar i ASHAK’ut

Intelektual që bëri emër qysh në vitet ’70 të sh. 20 në fushën e studimeve letrare e të kulturës shqiptare, por njëherësh i angazhuar për të çuar përpara proceset e përgjithshme emancipuese në Kosovë dhe ndër shqiptarë, veprimtar i shquar në lëvizjen kulturore të studentëve me drejtimin e gazetës Bota e re, por edhe me botimin e revistës Dituria dhe të botimeve të veçanta, Dr. Ibrahim Rugova natyrshëm hyri në qarkun e elitës intelektuale të asaj kohe. Veprimtaria studimore në fushë të letrave dhe të kulturës shqiptare që Dr. Rugova ndërmori pas fazës studentore në Institutin Albanologjik solli si rezultat veprën e tij të gjerë që shënoi rritje të cilësisë së atyre studimeve dhe njëherësh ndikoi ndjeshëm në çlirimin e opinionit dhe të këndvështrimeve në ato fusha nga shtrëngesa të ndryshme ideologjike të kohës. Rrezatimet e tij butësisht çliruese intelektuale u përhapën jo vetëm përmes veprave të tij, po edhe përmes projekteve të shumta hulumtuese, udhëheqjes së revistave shkencore e kulturore dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me veprën e tij studimet shqiptare në fushat me të cilat ai u mor shënuan një hap cilësisht të ri. Në vitet ’80 të sh. 20 në kohën e shtypjes së përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës dr. Rugova bashkë me intelektualët e tjerë u ndodh në trysninë e përgjithshme të Serbisë, për çka u përdorën dhe mjetet e shtrëngimit të shtetit jugosllav. Qëndresa shqiptare shtypej egërsisht, ndërsa intelektualëve u binte barra që të hapnin rrugë për të shqyrtuar seriozisht kërkesat popullore për liri, barazi dhe emancipim. Në kohën e përshkallëzimit të trysnive mbi intelektualët në vitet 1988 9, Dr. Ibrahim Rugova, përmes Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës qe ndër zërat që arrinin të artikuloheshin publikisht në mbrojtje të interesave kombëtare, kulturore e të tjera shqiptare dhe fare natyrshëm u bë bashkëbiseduesi më i parapëlqyer i opinionit publik evropian në këtë fushë. Në tërë dekadën e fundit të sh. 20 dr. Ibrahim Rugova u njoh ndërkombëtarisht si lideri i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, lideri i lëvizjes së gjerë për emancipim, për çlirim kombëtar e për pavarësi të Kosovës. Personaliteti i tij u çmua lart për shpalosjen dhe begatimin e vlerave evropiane të kohës. Në vitet ’90 dr. Ibrahim Rugova me Lidhjen Demokratike të Kosovës, së cilës i priu deri në çastet e fundit, u bë një nga figurat e shquara të lëvizjes politike në Ballkan drejt daljes nga shtrëngesat e përgjithshme të regjimeve komuniste, e në të njëjtën kohë drejt çlirimit kombëtar. Në këtë dekadë të rëndësishme për Kosovën Dr. Rugova dhe lëvizja demokratike së cilës i printe arriti ta ndërlidhte lëvizjen e Kosovës me përpjekjet për demokratizim në Shqipëri. Dr. Rugova ishte një nga bashkëbiseduesit substancialë në kontaktet e Perëndimit lidhur me Ballkanin. Përmes figurës së tij Kosova dhe lëvizja e saj për emancipim të përgjithshëm kombëtar, shoqëror e demokratik gjetën artikuluesin dhe zëdhënësin, u bënë të njohura dhe të pranishme në botën diplomatike të kohës në Evropë dhe SHBA.

* * *

Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan

Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta sheh vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij! Mbaj zi për ndërrimin e jetës, së bashku me tërë popullin e Kosovës. Derisa Kosova e fitoi lirinë nën udhëheqësinë e tij, tani përjetoi një humbje të tmerrshme në një pike kritike, kur shumë punë mbeten për tu bërë. (Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan) * * * Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës për një shtetet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoja në aspektin profesional me Dr. Rugovën dhe ta konsideroja atë një nga miqtë e mi më të ngushtë gjatë rreth dy dekadave që kur u njoha me të. Përpjekja e madhe e Presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës ka të njejtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandidit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

* * *

Dejvid Filips, drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Eli Vizel për Njerëzimin”

Jam shumë i pikëlluar me rastin e vdekjes së presidentit Rugova. Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri. E kam dashur dhe e kam admiruar shumë. Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes së Millosheviqit inspiroi botën. Me Presidentin Rugova jam takur shumë herë në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë kënaqësi, sa herë e kam takuar, sepse çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij. Vdekja e Presidentit Rugova është humbje e madhe për Kosovën, por unë shpresoj se vdekja e Dr. Rugovës do t’i inspirojë të gjithë kosovarët që të vazhdojnë të punojnë më me ngulm për paqe dhe liri”. (Bill Klinton, President amerikan 1992-2000) * * * Eshtë një realitet tragjik që të kujton Moisiun në Bibël, i cili për 40 vjet u end në shkretëtirë, por nuk u lejua të futet në tokën e shenjtë. Lëvizja për pavarësi në Kosovë është udhëhequr nga Dr. Rugova, por tani që po fillojnë negociatat ai nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve. Eshtë e rëndësishme që trashëgimia e tij të çohet përpara.

* * *

Irene Sokolgarsky, presidente e Universitetit të Parisit VIII, 1996

Dr.Ibrahim Rugova, teoricien dhe kritik letrar para se shqiptarët të goditeshin përsëri nga gjëmat e errëta të historisë evropiane, është përcaktuar për aksion politik në mbrojtjen e ‘ekzistencës’. Po ky nxënës i vjetër i Roland Bartit, i cili ka medituar dhe shkruar shumë mbi relacionet forcë-dije, nuk është angazhuar në një rrugë të çfarëdoshme, por universalizmi i tij është vullneti absolut për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë. Kjo e ka shtyrë të praktikojë dhe të bëjë të ndiqet një politikë e mosdhunës, absolute, e cila dukej e parealizueshme në kontekstin e luftës dhe të vlimeve nacionaliste. I etshëm për tolerancë dhe hapje ndaj Evropës, Universiteti Parisi 8 është shumë i nderuar me pranimin në cilësinë e doktorit të nderit të Ibrahim Rugovës, shkrimtar pacifist dhe i guximshëm në rrugën e tij. Të mos pyesim ne sot ‘se ç’presim nga Ibrahim Rugova’, por më mirë të pyesim “se ç’pret një njeri i tillë nga ne”.

* * *

Mari Fransua Alen, profesoreshë universiteti dhe koautore e librit “Çështja e Kosovës” 1996

Rugova erdhi në politikë në rrethana të veçanta dhe pasi që këtë e kërkonte nevoja e që mund ta krahasojmë me V. Havelin, i cili në vitin ’86 thoshte: ‘Për shkaqe të ndryshme të interesit të shkrimtarit, i cili mund të shkruajë për dashurinë, xhelozinë, për dështimin… për Zotin, ka një gjë të vërtetë që shkrimtari nuk mund ta evitojë kurrë, që është historia-situata sociale, epoka e tij që njëkohësisht do të thotë vetë politika’. Rugova është ky lloj shkrimtari që ka pranuar të mbajë mbi supe fatin e popullit të vet; është figurë e jashtëzakonshme, figurë e rrallë pacifisti jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Këtë e ka vërtetuar tash shtatë vjet me gjithë pengesat dhe grackat e provokimet që ka. Rugova mban ekuilibrin mu nga ajo se si shkrimtar ka shkruar për përgjegjësinë dhe raportet e të mundshmes dhe pushtetit… Në vitin 1981 Kosova u bë pikë e kuqe e Evropës me manifestimet për liri e pavarësi që u shtypën me gjak. Procese politike, dënime të rënda. Në atë kohë Rugova ishte duke shkruar monografinë e Pjetër Bogdanit, shkrimtar i shekullit XVII, në Prizren, humanist dhe liberator i një pjese të Kosovës. Esetë e tij (1980) në ‘Strategjinë e kuptimit’, ishin shenja që nënkuptonin më vonë edhe në ‘Refuzimi estetik’, ku dëshmoi se letërsia është sipërore ndaj pushtetit, dhe se vetëm literatura ishte në formë të së mundshmes në veprimet e pushtetit. Rugova ishte i njohur me miqtë e tij Eqrem Basha e Rexhep Ismaili, të formuar në Francë, edhe pse në vitin 1985 mori qëndrim të guximshëm në mesin e shkrimtarëve, por edhe kur ishte në aksion të të shprehurit. Këtë e shpjegon në librin ‘Çështja e Kosovës’. Denoncimi i terrorit së pari kaloi nga të shprehurit e letërsisë. Prej aty erdhi edhe miqësia për Francën, për studimet e tij nën disertacionin e dr. Roland Barthes (1976-1977). Semiologjia dhe strukturalizmi ishin arma e tij më e fortë. Ai ka deklaruar në libër se ka dy rrugë për intelektualin: të qëndrohet me librin dhe të merret me veprimin. Në vitin 1988 ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kur në ‘Refuzimi estetik’ thekson: ‘Refuzim do të thotë të mos pranohet ajo që imponohet’. Më 1989 ai diferencohet, i larguar nga e drejta, i zhgënjyer; çdo i dyti shqiptar i ndaluar nga policia – do të thotë mbi 700.000 veta.” …E gjithë biografia e dr. Rugovës del nga angazhimi i literaturës që prodhoi tipin e veprimit që ai udhëheq sot: lirinë dhe demokracinë. Dr.Rugova është një çelës që hap një rrugë nga literatura në aksion politik. Rugova është përcaktuar të shkojë deri në fund të lojalitetit të tij. Politika për të është një shërbim (service), por u mbetet besnik angazhimeve të tij si shkrimtar. Kështu, sistemi i tij politik është fryt i elaborimit me situatën… E shohim atë në pozicion intermediar midis intelektualëve të Perëndimit dhe të Lindjes, duke u inspiruar, po e citoj, nga të parët për atë çka i takon teorisë, por duke e pasur të njëjtin fat me të dytët” Ai do të preferonte pa dyshim të mbetej pranë librave: në mënyrë modeste thotë: ‘Nëse mbetet diçka prej meje në historinë shqiptare, ky do të jetë emri im intelektual”.

(QIK)