Thahen pishat mbi Plato pa u bërë përurimi i saj (Foto)

Platoja e re mbi kurriz të Dardanisë nuk po e mbanë gjelbërimin.

Lajme

22/08/2017 13:28

Ndërtimi i Platos mbi “Kurriz” të lagjes Dardania në Prishtinë i ka tejkaluar të gjitha afatet kohore të kryerjes së punëve, por ende nuk dihet se kur do të përfundojnë ato.

Komuna e Prishtinës po pretendon që mbi pllakat e betonit në Plato të ketë edhe pak gjelbërim. Por, disa pisha që janë mbjellur mbi të janë tharë tërësisht, shkruan lajmi.net.

Pishat janë mbjellë në tri-katër qoshe të Bulevardit, por asnjëra nga to nuk do të duket e gjelbër kur punimeve t’iu pritet shiriti. Anash tyre janë mbjellur edhe disa drunj dekorues, por ata vazhdojnë të qëndrojnë akoma të gjelbëruar.

Ndryshme, më 8 qershor 2015, kompania “Rexha&Loni” dhe Komuna e Prishtinës kishin nënshkruar kontratë për ndërtimin e Bulevardit mbi “Kurriz” në lagjen “Dardania” në vlerë prej 948 mijë e 825 euro. Punimet ishin paraparë të kryhen për 180 ditë pune. Nga koha kur është lidhur kontrata e deri më tani janë bërë mbi dy vite.

Tenderin për Ndërtimin e Bulevardit e pati fituar kompania “Rexha”, me pronar Samir Rexha. Kjo kompani ka blerë pllakat dhe kubëzat nga kompania “R.U.B.”, ku pronar i sajë është kryesuesi i Komitetit për Shëndetësi në Vetëvendosje dhe kandidati për deputet,  Jusuf Ulaj. Bashkëpronar në këtë kompani është edhe vetë Rexha.

Shumica e kubëzave të shtruar në Prishtinë gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje janë të kompanisë “R.U.B. shpk”. /Lajmi.net/