Thaçi: Pozicioni ynë ishte i qartë në Berlin, Serbia duhet ta njohë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për medie pas ardhjes nga Berlini.

Lajme

30/04/2019 19:58

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se pozicioni i Kosovës në Samitin e Berlinit ishte i qartë, që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, raporton lajmi.net.

“Pozicioni ynë është i qartë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës pa kushte”, deklaroi ndër të tjera presidenti Thaçi.

Ai po ashtu në këtë konferencë ka thënë se në Samitin e Berlinit, Kosova ka paraqitur qëndrimin për vazhdimin e dialogut pa kushte dhe se sipas Thaçit, taksa ishte një vendim i drejtë dhe legjitim.

“Pozicioni i Kosovës në të dy prezantimet edhe në pjesën e parë dhe të dytë ka qenë shumë i qartë. Dialogu mund të vazhdojë i pa kushtëzuar dhe taksa ka qenë vendim i drejtë dhe legjitim dhe duhet të mbetet në fuqi”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i vendit, po ashtu ka thënë se pas takimeve që ka pasur në këtë Samit, shpreson që qytetarët e Kosovës shumë shpejtë do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian, raporton më tutje lajmi.net.

“Kosova ka dalë mirë nga ky samit. Pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë. Shtetet e Bashkimit Evropian, për çka edhe i kam drejtuar drejtpërdrejt me kërkesë për një qartësim edhe nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, do të thotë Gjermania dhe Franca, sa i përket domosdoshmërisë për liberalizimin e vizave dhe këtu kemi mesazhet e fjalimeve edhe pjesën e parë dhe të dytë. Dhe mendoj që do të kemi një reflektim sepse veçse i kemi sinjalet e para pas mesazheve tona të djeshme që do të mund të lëvizet dhe jemi më me shpresë dhe më me optimizëm në mënyrë që të respektohet kontrata e Bashkimit Evropian me institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Ju e dini se deri në vitin 2016 ka qenë si kusht apo kriter demarkimi i kufirit me Malin e Zi. E kemi kryer edhe atë kriter dhe tash më tepër se dy vite jemi në pritje krejt të panevojshme dhe unë e kam theksuar shumë qartë se ne vlerësojmë se është diskriminim, është edhe mashtrim por edhe ndëshkim për qytetarët e Kosovës. Kështu që unë shpresoj që mesazhet që i kemi dërguar atje kanë qenë mesazhe që do të vlerësohen seriozisht, do të merren seriozisht dhe do të na japin një mbështetje më konkrete dhe më praktike, por edhe më të prekshme që në të ardhmen e afërt të ndodhë liberalizimi i vizave. Në të kundërtën do të ishte një zhgënjim i madh i qytetarëve të Kosovës. Ne e kuptojmë se në javët dhe muajt e ardhshëm do të ketë zgjedhje në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe e dimë se sa e ndjeshme është liberalizimi i vizave në një proces elektoral për ndonjë lider apo për ndonjë parti e shtet. Sido që të jetë e drejta jonë është shumë humane dhe nuk është vetëm politike, por një e drejtë që e kanë të gjithë qytetarët në Ballkanin Perëndimor. Dhe në veçanti në këtë drejtim kemi punuar shumë dhe nuk po kërkojmë ndonjë dhuratë, por po kërkojmë vetëm respektimin e së drejtës tonë”, u shpreh Thaçi.

Presidenti Thaçi, po ashtu edhe një herë e bëri të qartë në këtë konferencë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe sovranitet të dyfishtë. /Lajmi.net/