Thaçi: Na presin bisedime të rënda – synojmë marrëveshje historike me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur për takimin e ri me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Lajme

20/06/2018 10:19

Presidenti ka thënë se kjo është faza finale e dialogut ku synohet arritja e një marrëveshjeje historike mes të dyja vendeve, raporton lajmi.net.

“Ky është takimi i parë i fazës finale mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo konfirmohet edhe nga letra zyrtare e dërguar nga shefja e BE-së, (Federica) Mogherni”, ka thënë ai.

Thaçi thotë se qëllimi i Kosovës në këtë fazë është arritja e një marrëveshje ligjërisht detyruese.

“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut është arritja e një marrëveshje ligjërisht detyruese mos Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ka ardhur koha që të nënshkruhet një marrëveshje historike mos Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një periudhë tragjike shekullore”, deklaroi presidenti.

Kosova nuk ka për çfarë t’i frikësohet dialogut e as epilogut të tij, potencoi më pas ai.

“Na presin bisedime të rënda, të vështira pasi synojmë ta mbyllim këtë fazë me marrëveshje historike”, tha presidenti Thaçi në konferencë.

Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet të dielën në Bruksel. /Lajmi.net/