Thaçi: Kufijtë po kthehen nga vija ndarëse në vija të komunikimit (Video)

Kufijtë e sigurt ndihmojnë lëvizjen e qytetarëve, shpejtojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Kështu tha kryeministri Thaçi në Konferencën Rajonale për Siguri Kufitare, që po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e shteteve të rajonit, me përjashtim të Serbisë.

Lajme

04/11/2014 13:26

Në hapje të konferencës, kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, tha se Kosova ka rritur kapacitetet për të luftuar krimin e organizuar, fenomene këto të cilat po e ngadalësojnë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

Kreu i Qeverisë, ka theksuar se është ky moment kthese, ngase sipas tij, është kjo koha kur kufijtë po kthehen nga vija ndarëse në vija të komunikimit dhe bashkëpunimit.

Thaçi ka shtuar se nuk mund t’i ikin historisë, por mund të mësojnë nga ajo.

I pari i ekzekutivit, shtoi se fakti që sot janë së bashku në Prishtinë, nga i gjithë rajoni, duke diskutuar për shqetësime të përbashkëta në fushën e sigurisë, tregon se ky ndryshim në qasjen tonë ka filluar të jetësohet.

“Është qenësore që të lëmë anash dallimet tona dhe të rrisim bashkëpunimin si kusht për paqe dhe prosperitet në rajonin tonë, shtëpinë tonë. Për demokracinë dhe shoqërinë e hapur është me rëndësi që kufijtë të jenë të hapur që të zhvillohet dhe realizohet potenciali i qytetarëve tonë….Qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm në familjen Evropiane, sepse liria e lëvizjes rritë sigurinë tonë, rritë mirëkuptimin midis popujve tanë, largon paragjykimet, dhe fuqizon si një. Falë bashkëpunimit rajonal, e ardhmja jonë Evropiane ka filluar të formësohet. Siguria jonë nuk vjen përmes bunkerizimit të kufijve tonë, por përmes fuqizimit të besimit midis popujve dhe shteteve tona”, tha Thaçi.

Ai shtoi se Kosova ka bërë progres të madh në thellimin e bashkëpunimit me fqinjët e saj, duke nënshkruar dhe ratifikuar 22 marrëveshje bilaterale me vendet e rajonit në fushën e sigurisë kufitare dhe 11 marrëveshje të tjera ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit doganor.

Ndërsa, Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha se vendi i saj, do të mbështes programet që kanë të bëjnë me kontrollin e eksportit, policinë kufitare, doganierët në mënyrë që kufijtë të jenë më të sigurt.

“Ambasada Amerikane në këtë regjion të Ballkanit do të vazhdojë të punojë shumë ngushtë me të gjithë ju në përmirësimin e reformimit të sektorit të gjyqësorit dhe gjithashtu të sektorit të sigurisë, sepse gjyqësori dhe siguria janë të ndërlidhura për të gjithë neve”, tha Jacobson.

Ndërsa, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepin tha se siguria kufitare kërkon bashkëpunim rajonal.

“Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar në çështjet e sigurisë, ka qenë dhe mbetet prioritet për Republikën e Kosovës edhe për kundër faktit, të kufizimeve që ne kemi në skenën ndërkombëtare”, u shpreh Rexhepi. 

Edhe ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj bëri të ditur se shumë shpejt do të jetë aktive forca tatimore- doganore e përbërë prej 60 pjesëtarëve, forcë kjo e cila do të luftojë ekonominë informale.

(KosovaPress)