Thaçi: Kosova e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron në Davos në kuadër të sesionit të Forumit Ekonomik Botëror.

Lajme
Thaçi shkruan në Facebook se ka biseduar me liderët e Ballkanit Përendimor dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian për perspektivën e rajonit dhe bashkëpunimin rajonal për tejkalimin e problemeve politike, transmeton lajmi.net.
Ai shtoi se viti 2018 është vit përcaktues në avancimin e agjendës evropiane për të gjitha shtetet e rajonit që janë të përkushtuara në procesin e anëtarësimit.
Në fund, Thaçi shkruan se Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhenieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas tij është e domosdoshme arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për paqe dhe normalizim.
Ky është postimi i plotë i Thaçit në Facebook:
Në Davos vazhdova takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në kuadër të sesionit të Forumit Ekonomik Botëror me temë “Përshpejtimi i zhvillimit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”.
Ne biseduam për perspektivën evropiane të rajonit, për bashkëpunimin rajonal dhe për tejkalimin e problemeve politike, si veprime që forcojnë paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.
Fokusi i shtuar në rajon, si rezultat i strategjisë për procesin e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të publikohet së shpejti dhe Samitit i ardhshem i Sofjes e kanë vendosur zgjerimin e Ballkanit Perëndimor si një nga prioritetet kryesore.
Viti 2018 është përcaktues në avancimin e agjendës evropiane për të gjitha shtetet e rajonit që janë të përkushtuara në procesin e anëtarësimit.
Pritjet tona janë që kjo strategji të paraqesë një perspektivë të qartë për Kosovën, sepse kjo do të mundësojë zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e hapave në procesin e anëtarësimit.
Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne këtë aspekt, është e domoesdoshme arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për paqe dhe normalizim.