Thaçi i ka premtuar PD-së se shamia do të lejohet

Zyrtarë të Partisë së Drejtësisë shprehen se kanë marr premtime nga vet kryeministri Thaçi, që kërkesa e tyre për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla do të realizohet. Përveç saj PD-së, i është premtuar edhe një ministri.

Lajme

17/05/2014 18:13

Ish deputeti i Partisë së Drejtësisë, Jeton Sifirca ka thënë  se kryeministri Thaçi, u ka premtuar se do të plotësohet kërkesa e tyre për respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut, respektivisht bartjen e shamive në shkolla.

Sfirca partia e të cilit ka hyrë në koalicion parazgjedhore për zgjedhjet e 8 qershorit,  me Partinë Demokratike të Kosovës ka thënë për KosovaPress, se ata kanë pasur tri kërkesa kryesore për partnerin në koalicion, të cilat janë: ruajtja e identitetit të PD-së duke përfshirë edhe akronimin në listat e votuesve, respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe përfaqësimin dinjitoz në qeverinë e ardhshme.

Ai madje ka thënë se tashmë Ministri i Arsimit Ramë Buja, e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ, i cili ka penguar deri me tash bartjen e shamive në shkolla.

“Ne kemi pas kusht për partnerin tonë të koalicionit respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe këtë kusht ata e kanë pranuar, e kanë mirëpritur dhe janë pajtuar për këtë dhe ne jemi të kënaqur me marrëveshjen që kemi arritur me Partinë Demokratike të Kosovës.  Kemi marr premtimin direkt nga kryeministri, por edhe vendime të dokumentuara nga ministrat konkret, kryesor dhe përkatës, dhe ne presim që kjo vetëm të zbatohet dhe të implementohet”, ka thënë ai.

Ai po ashtu pohoi se nga partneri i koalicionit, PDK-ja, iu është premtuar edhe një ministri, madje duke shtuar se mund të jetë Ministria e Shëndetësisë ose Ministria e Arsimit.

“Ka qenë pjesë e bisedës edhe kjo. Ne këto biseda do t’i zhvillojmë më në detaje pas procesit zgjedhor dhe në bazë të rezultatit të zgjedhjeve dhe do t’i detajizojmë të gjitha çështjet……Partia e Drejtësisë e ka pas kërkesë që në mandatin e ardhshëm ta merr Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit”, ka shtuar Svirca .

 Partia e Drejtësisë në zgjedhjet e përgjithshme në listën e përbashkët me Partinë Demokratike të Kosovës garon me tetë kandidat. (KosovaPress)