Thaci i bindur për fitore në Anamoravë

Kryetari i PDK’së tha se Qemajl Mustafa, ka dëshmuar qeverisje të mirë dhe se bindshëm do ta vazhdojë qeverisjen e Gjilanit edhe për e ri mandatin katërvjeçar.

Lajme

02/10/2013 09:12

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Partia Demokratike e Kosovës do të shënojë fitore të thellë në Gjilan dhe Anamoravë.

Ai të martën ka vizituar Gjilanin për t’i dhënë mbështetje kandidatit për kryetar, kryetarit të Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa. Ai ka thënë se PDK dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë investimet kapitale në Komunën e Gjilanit, raporton rajonipress.

“Ne për gjithë këto vite ishim afër me secilin qytetar të Komunës së Gjilanit dhe Kosovës, ne ishim ata që qëndruam pranë çdo kërkese që kishin ata. Ne filluam me projekte të mëdha në shumë fusha si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, ndërtim e zhvillim të vendit e deri në integrim të tij në strukturat më të larta Euroatlantike”.

“Do të vazhdojmë me përkushtim për punët e mëdha që kemi bërë në qeverisjen e Gjilanit dhe të Kosovës dhe se me vazhdimin e mandatit të ri do të jemi pranë secilit qytetar të Republikës me investime në të gjitha fushat e jetës”.

Thaçi tha se Kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, ka dëshmuar qeverisje të mirë dhe tha se bindshëm do ta vazhdojë qeverisjen e Gjilanit edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.

Edhe kandidati për kryetar, kryetari i Komunës Qemajl Mustafa tha se PDK ka dhënë prova gjatë viteve në qeverisje.

“Bashkë me kryeministrin Thaçi dhe qeverinë do të vazhdojmë t’i ofrojmë qytetarit të Komunës së Gjilanit investime të cilat do të lidhen drejtpërdrejtë në të mirë të qytetit dhe jetës së qytetarëve tanë”.

“Për këto vite sa kemi qeverisur, kemi dhënë provën se jemi më të mirë në politikë dhe udhëheqje dhe me shumë lehtësi, bashkë me kryeministrin e Kosovës Thaçi, kërkojmë besimin e qytetarëve për vazhdimin e projekteve të mëdha për Gjilanin dhe vendin”, tha Mustafa.