Thaçi: Fondi i Punësimit transparent, e jo si tre përqindëshi

Kryeministri, Hashim Thaçi ka thënë se Fondi i Punësimit do të jetë transparent, me një pjesëmarrje të të gjitha grupeve të interesit, biznesit, partnerëve ndërkombëtar dhe shoqëria civile. Ai për këtë fond ka thënë se nuk do t’i ngjajë atij të tre përqindëshit, që menaxhohej nga Isa Mustafa, sot lider i LDK-së. 

Lajme

23/05/2014 22:51

Lideri i PDK-së, në një intervistë e cila botohet e plotë, nesër në gazetën Kosova Sot, ka thënë se, qeveria e ardhshme, do të aplikojë praktikat më të suksesshme ndërkombëtare të cilat kanë pasur fonde të ngjashme investimi.

“Themelimi i fondeve investive publike është praktikë e suksesshme dhe e përhapur gjithandej botës. Po ashtu në vitet e fundit, nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë, ne ia kemi dalë ta anëtarësojmë Kosovën në institucione të rëndësishme ndërkombëtare financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe Banka Evropiane për Investime”, ka thë kryeministri në detyrë Hashim Thaçi. 

Misioni i Ri i tij, pas lirisë, pavarësisë dhe përfundimit të shtet-ndërtimit, kryeministri ka thënë të jetë lufta kundër varfërisë dhe papunësisë, dhe përpjekjet për të zhvilluar Kosovën dhe mundësuar integrimin Euro-Atlantik. 

“Gjatë muajve të fundit unë kam udhëtuar anembanë Kosovës për të vizituar biznese kosovare, të vogla, të mesme dhe të mëdha, dhe ju garantoj, se në popullin tonë vlon një shpirt i fortë sipërmarrës dhe një zell i madh për punë. Mirëpo një ndër shqetësimet kryesore që ata më kanë shprehur, ka qenë mundësia e marrjes së kredive me interes të ulët për zhvillimin e biznesit të tyre”. 

“Fondi i punësimit do të ketë një sërë prioritetesh. Së pari, një e treta e fondeve do të shfrytëzohen për të zhvilluar bujqësinë. Mandej do të përdoren për të përkrahur ndërmarrësit e rinj dhe ndërmarrjet e vogla në mënyrë që ato të zgjerohen e të hapin vende të reja të punës. Do të shërbejë për të përkrahur ndërmarrjet e mesme që synojnë investime në rritjen e kapacitetit prodhues, blerjen e teknologjive të reja, përmirësimin e standardeve të prodhimit dhe shtimin e të punësuarve. Do të përkrahen gjithashtu edhe korporatat e mëdha që synojnë të investojnë në fusha deficitare apo inovative, si energjia e ripërtërishme, teknologjia informative, veprimtaritë eksportuese, etj”. 

Thaçi ka bërë të ditur se 500 milion euro të këtij fondi do të ndahen për zhvillimin e bujqësisë. 

“Qeveria që kam udhëhequr unë, është e para qeveri që ka dhënë mbështetje domethënëse për sektorin e bujqësisë, sektor ky që për një kohë të gjatë ka qenë nënvlerësuar nga qeveritë e mëparshme. Gjatë mandatit tonë ne kemi mbështetur me grante e subvencione rreth 80 000 bujq dhe kemi pasur rezultate shumë pozitive qoftë në rritjen e prodhimit, eksportit dhe punësimit. Prandaj një e treta e këtij fondi, pra 500 milionë euro investime do të kanalizohen drejt bujqësisë duke hapur së paku 50 mijë vende të reja të punës në këtë sektor”. 

Ai ka folur edhe për formën e sigurimit të mjeteve për këtë fond.

“Burimet e Fondit do të jenë paratë e privatizimit, një pjesë e fondeve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, fonde nga donatorë apo fonde të tjera ndërkombëtare, fonde të siguruara nga privatizimet që do të ndërmerren në vitet që vijnë si dhe fonde nga buxheti i shtetit sipas nevojës”.