Thaçi e quan Limajn “mik”

Hashim Thaçi rrëfehet në Top Channel për të kaluarën e tij në UÇK, për relacionin me Limajn, për Dialogun Kosovë-Serbi, për pritjet në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për shumë çështje të tjera. Përfshirë edhe mundësinë që ai të bëhet President.

Lajme

14/01/2014 23:25

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se është i sigurt për një mandate të tretë në krye të Qeverisë së Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të cilat pritet të mbahen sivjet.

Në një intervistë për Emisionin Top Show, në Top Channel, Thaçi foli për fillimet e aktiviteteve të tij në rezistencën e armatosur të shqiptarëve të Kosovës ndaj forcave serbe, për bisedimet e Kosovës me Serbinë në Rambouillet dhe për Kosovën e pasluftës.

Thaçi ka vlerësuar se ai dhe liderët tjerë të Kosovës të cilët e kanë kundërshtuar ashpër në disa projekte të tij, kanë dallime konceptuale.

E sidomos në ndërmarrjen e fundit të Qeverisë që Thaçi e drejton për privatizimin e 75 përqind ët aksioneve të PTK’së.

“Ka qenë gabim që PTK nuk ka kaluar në Kuvend”.

“Është një dallim konceptual mes Qeverisë që qeveris unë dhe një koncepti të gabuar”.

“Nuk jetojmë më në kohën e zadrugave”.

“Ata që e kanë dashur Titon dhe ata që e kanë dashur Enverin, kur vjen puna te privatizimi bashkohen shkëlqyeshëm”.

“Ka hapësirë për përmirësim. Edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni ka pasur vështirësi”.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, ekonomia e lirë e tregut është qëllimi dhe vizioni i tij politik.

Në një moment, Thaçi pu ërkujtua nga moderatori për deklaratën e Kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri se “Mitrovica është në varfëri e fle mbi ar”.

E Hashim Thaçi e thumboi Bahtirin me përgjigjen e tij.

“Ai nuk e ka thënë i pari, por e ka thënë i fundit. Shumë të tjerë e kanë thënë para tij”.

Por, Thaçi për herë të parë e pranoi se kanë qenë kandidaturat e gabuara ato që kanë bërë që PDK t’i humbë disa komuna në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

“Elektorati në Kosovë ka vlerësuar PDK’në. Ajo u rikonfirmua partia e parë në nivel nacional dhe kemi fituar shumicën e komunave të Kosovës. Jemi rritur në vota”.

“Kemi humbur dy- tri komuna ku kemi pritur të fitojmë por kjo është demokracia”.

“Njerëzit kësaj radhe kanë shikuar më shumë kah kandidatët se sa kah partitë”.

“Mund të them se ka ndodhur një votim i shëndetshëm. Porosia është se kush punon fiton, kush nuk punon, humb”.

“Këto kanë qenë zgjedhjet e pesta me radhë që PDK i fiton”.

Ai ka mohuar të jetë takuar dje me Fatmir Limajn, ashtu siç ishte raportuar në media, ndërsa këtij të fundit shpesh i është referuar si “mik i vjetër”

“PDK është parti e madhe, e organizuar, me potencial të jashtëzakonshëm organizativ”.

“Mund të them se më tepër në ndonjë komunë ka ndikuar dobësitë, lëshimet në qeverisje. Nuk do ta personalizoja me ndonjë individ”.

“Jemi miq të vjetër. E kemi themeluar PDK’në. Është potencial i përbashkët që e kemi ndërtuar”.

“PDK tash e 15 vjet është partia më e konsoliduar në Kosovë. Nëntë vjet e kemi udhëhequr Qeverinë”.

“PDK me gjithë baticat dhe zbaticat që ka pasur, ka mbetur partia më unike jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në rajon”.

“Takim të veçantë (me Limajn) nuk ka pasur, por ne bisedojmë, jemi miq. Angazhimi ynë për Kosovën, për zhvillimin e Kosovës është çimentuar në kuptimin më pozitiv të mundshëm”.

Por, nëse i fiton zgjedhjet e ardhshme nacionale, Thaçit do t’i duhej t’i gjejë aleatët tjerë brenda spektrit politik të Kosovës, në një koalicion qeverisës.

Thaçi nuk pranoi ta zbulojë se cilën parti do ta zgjidhte në atë rast.

Dhe nuk përjashtoi asnjëren prej tyre.

“PDK si synim e ka fitoren e mandatit të tretë. Jam i bindur se do të fitojë sepse e ka mbështetjen. Të arriturat e PDK’së janë të pakrahasueshme me të tjerët që kanë qenë në pushtet”.

“PDK synon e sigurt t’i fitojë zgjedhjet dhe pastaj varësisht prej kushteve dhe rrethanave ta ndërtojë koalicionin qeverisës. Unë gjithmonë jam treguar fleksibil”.

“Në vitin 2007 e kam ftuar LDK’në që për shumëkë ka qenë befasi. E bëmë koalicionin, e shpallëm pavarësinë dhe koalicioni ka qenë i suksesshëm, pavarësisht divergjencave”.

“PDK do të fitojë ndërsa partner i koalicionit do të jetë ai që përputhet me agjendën programore”.

“Ka parti që janë më të përafërta, ka që janë më të largëta”.

Sido që të jetë, synimi i Thaçit është që ta marrë edhe një mandat në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Për një Kryeministër, një mandate është pak, i dyti është mandate i punës efektive”.

“Nuk kam menduar për pozicion tjetër, jam i angazhuar 100 % në përgjegjësitë që i kam. Kontratën me qytetarët nuk e thej për asnjë çmim”, tha ai kur u pyet nëse aspiron postin e Presidentit të Kosovës.

“Kam pasur mundësi dy herë të jem President”.

“Do ta udhëheq PDK’në në fitoren e radhës, pastaj do ta marr vendimin në të mirë të qytetarëve të Kosovës”.

“Në betejë do të hyj si Kryeministër, pastaj si fitues i kësaj beteje, do ta marr vendimin”.

Duke folur për dialogun në Bruksel, Thaçi ka thënë se këto bisedime nuk janë të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

“Në 15 vjetët e fundit, Serbia asnjëherë nuk ka fituar politikisht dhe diplomatikisht ndaj Kosovës. Serbia ka humbur në Rambouillet, ka humbur në Vjenë, ka humbur në Bruksel”.

“Shumë e lehtë ka qenë për mua ta refuzoj dialogun dhe t’i marr disa duartrokitje në Kuvend”.

“Qeveria e re do ta ketë shumë më lehtë, sepse nuk do ta ketë barrën e dialogun”.