Haziri i drejtohet Kurtit për Fatmir Spahiun dhe Feride Rushitin: Dëshmi se si i shfrytëzoi gjilanasit veç për vota

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Haziri e ka akuzuar Albin Kurtin për shfrytëzim politik të dy figurave nga Gjilani dhe përjashtmin e këtij rajoni nga vëmendja institucionale. Haziri përmendi rastin e aktorit Fatmir Spahiu, i cili sipas tij ishte nominuar për ministër para zgjedhjeve, por më…

Lajme

01/05/2026 13:58

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Haziri e ka akuzuar Albin Kurtin për shfrytëzim politik të dy figurave nga Gjilani dhe përjashtmin e këtij rajoni nga vëmendja institucionale.

Haziri përmendi rastin e aktorit Fatmir Spahiu, i cili sipas tij ishte nominuar për ministër para zgjedhjeve, por më pas nuk u përfshi në qeveri, pa asnjë shpjegim publik.

Ai theksoi se një qasje e ngjashme është ndjekur edhe ndaj Feride Rushiti, duke sugjeruar se nominimi i saj ishte bërë pa synim real për emërim.

“Fatmir Spahiun, ikonën e kinematografisë kosovare, e nominoi për ministër para zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve e zgjodhi krejt dikë tjetër, pa asnjë sqarim, pa asnjë kërkimfalje. Njëjtë veproi edhe me Dr. Feride Rushitin. E nominoi për të mos u zgjedhur”.

Sipas Hazirit, këto raste përbëjnë dëshmi se si, sipas tij, janë përdorur emrat dhe autoritetet e gjilanasve për përfitime elektorale, ndërsa pas zgjedhjeve ata janë lënë jashtë vendimmarrjes dhe zhvillimit.

“Kjo është dëshmia më e madhe se si shfrytëzohen gjilanasit veç për vota e pa projekte zhvillimore, dhe se si shfrytëzohen emrat e autoritetet për tejkalim krizash”./Lajmi.net/