Thaçi beson se do të vijë edhe njohja nga Serbia
Kryeministri Hashim Thaçi thotë se kanë filluar përgatitjet dhe kremtimet për 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ai beson se edhe Serbia, në një të ardhme jo të largët, do ta njohë Kosovën, paralelisht me procesin e integrimit europian.
Lajme
Të hënën është dita kur Kosova i bën 6 vjet nga viti kur u shpall e pavarur. Për këtë, i pari i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të njohur se që sot kanë filluar përgatitjet për kremtimin e kësaj dite nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Duke e konsideruar këtë ditë si kulmore për përpjekjet e kosovarëve për liri, pavarësi dhe finalizim të aspiratave, Thaçi, gjatë mbkledhjes së sotme të Qeverisë, ka thënë se Kosova do të njihet në një të ardhme jo të largët edhe nga Serbia.
“Këto festime i fillojmë në kohën kur po e forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, tani kur kemi arritur 106 njohje ndërkombëtare, kur çdo herë jemi më afër integrimeve euroatlantike, liberalizimit të vizave, procesit të Stabilizim-Asociimit, perspektivës për partneritet për paqe dhe anëtarësim në NATO. Dhe, në të ardhmen jo të largët jemi pjesë edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.”
Festa e Pavarësisë, sipas Kryeministrit Thaçi, po shënohet edhe në një kapitull të normalizimit Kosovë-Serbi, me arritjen e Marrëveshjes së 19 Prillit të vitit të kaluar në Bruksel.
“Unë kam besim se edhe njohja nga vetë Serbia do të ndodhë në të ardhmen jo të largët, paralelisht me procesin integrues europian”.
Kryeministri Thaçi gjithashtu ka përmendur takimin e radhës me Kryeministrin Ivica Dacic, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton në Bruksel, ndërsa pret të përfundohet marrëveshja për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë.
“Pritet që ditët e ardhshme marrëveshja të finalizohet në Bruksel. E gjithë marrëveshja është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjen e 19 Prillit.”
“Kam besim të plotë, se me funksionalizimin e sistemit të drejtësisë do ta kemi një fillim të funksionalizimit të tërësishëm edhe në pjesën Veriore të Kosovës. Në veçanti tash, pas organizimit të zgjedhjeve lokale”.
“Është arritur shumë, por kam besim të plotë se do të shënojmë progres edhe më të prekshëm pas fillimit të punës së sistemit të drejtësisë, që është baza e funksionalizimit e tërë sistemit edhe në Veri të Kosovës”.