Thaçi apelon qytetarët të zbatojnë masat kundër COVID-19, nuk e përmend gjendjen e jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka apeluar qytetarët e Kosovës t'i respektojnë në përpikmëri të gjitha masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore për mbrojtje nga virusi COVID-19.

Lajme

11/07/2020 15:45

Thaçi në reagimin e tij në Facebook thotë se duke respektuar masat dhe rekomandimet secili qytetar e ruan vetën, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë, shkruan lajmi.net.

Ai gjithashtu ka falënderuar personelin shëndetësor për betejën e tyre të përditshme për të shpëtuar çdo jetë njeriu.

Ky është reagimi i tij:

Qytetarë të dashur,

Në javën e fundit kishim rritje të madhe të numrit të të prekurve me virusin COVID-19. Gjendja aktuale është tejet shqetësuese dhe kërkohet kujdes maksimal nga të gjithë.

Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë.

Si president i vendit shpreh falënderim të madh për gjithë personelin shëndetësor, i cili po e jep maksimumin në këtë betejë të përditshme për ta shpëtuar çdo jetë njeriu. Po ashtu, u shpreh ngushëllime të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ky virus vdekjeprurës. HTH. /Lajmi.net/