Tha se Osmani paguhet 40-fish më shumë se pensioni i gjyshes së tij, Presidenca i reagon Spahiut

Bekim Kupina, këshilltari i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar publicistit Nexhmedin Spahiu, i cili sot ka deklaruar se Osmani paguhet sa 40-fishi i pensionit të gjyshes së tij, ndërsa ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, paguhet 4-fish më shumë se pensioni më i ulët në Serbi.

Lajme

04/01/2022 21:30

Përmes një postimi në Facebook, Kupina ka thënë se Spahiu po bën propagandë, duke thënë se deklarata e tij është e pavërtetë dhe dëshmon qëllimet e tij tendencioze dhe dezinformuese.

“Paga që e merr Presidentja është 2700 euro (e jo 4000) dhe kjo e dhënë është publike. Ka dhjetëra persona në pozita të ndryshme publike që marrin pagë më të lartë se Presidentja, si institucioni më i lartë në vend”, ka shkruar Kupina, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se Vuçiq mund të paguhet më pak se presidentja Osmani, por se presidenti serb është i lidhur me banda kriminale.

“Dihet se Presidentja ka vetëm një burim të ardhurash dhe drejton një institucion, në të cilin paratë e taksapaguesve trajtohen me përgjegjësi maksimale. Në të kundërtën, Vuçiqi mund ta marrë zyrtarisht një pagë të një niveli tjetër, porse mbetet i lidhur me bandat kriminale sikurse edhe nivel të lartë të korrupsionit. Serbia mund të ketë të hyra të shumta, porse i përdor për investime në ushtrinë e saj me armatim nga Rusia, duke e kërcënuar gjithë rajonin”, ka shkruar Kupina.

Postimi i plotë në Facebook:

Nexhmedin Spahiu, duke bërë propagandë të qëllimshme, ka deklaruar se Presidentja e vendit ka pagën sa 40-fishi i pensionit në Kosovë, pra ka pretenduar se paga e Presidentes është diku 4 mijë euro. Kjo është e pavërtetë dhe thjeshtë dëshmon qëllimet e tij tendencioze dhe dezinformuese.

Ai ka drejtuar kritika ndaj nivelit të pagës së Presidentes (pagë të cilën nuk e ka caktuar Presidentja Osmani) e në këtë kontekst ka lavdëruar presidentin e Serbisë, i cili sipas tij merr pagë më të ulët.

Si një kontradiktor që është me qëndrime, analogjia le që është qesharake, por e nivelit mediokër. Secila analogji çalon, por kjo e z.Spahiu është e paparë. Thjesht është i pavërtetë pretendimi krahasimor i z.Spahiu. Matematika e tij shpërfaqë paaftësi në përllogaritje dhe në kuptimin e situatës në Ballkan.

Paga që e merr Presidentja është 2700 euro (e jo 4000) dhe kjo e dhënë është publike. Ka dhjetëra persona në pozita të ndryshme publike që marrin pagë më të lartë se Presidentja, si institucioni më i lartë në vend.

Dihet se Presidentja ka vetëm një burim të ardhurash dhe drejton një institucion, në të cilin paratë e taksapaguesve trajtohen me përgjegjësi maksimale. Në të kundërtën, Vuçiqi mund ta marrë zyrtarisht një pagë të një niveli tjetër, porse mbetet i lidhur me bandat kriminale sikurse edhe nivel të lartë të korrupsionit. Serbia mund të ketë të hyra të shumta, porse i përdor për investime në ushtrinë e saj me armatim nga Rusia, duke e kërcënuar gjithë rajonin.

Z.Spahiu duke qenë se konsiderohet analist, do të duhej t’i dinte dhe të mos i shpërfillte këto fakte.

Duke i krahasuar dy presidentët, ndoshta ka mundësi t’i mësoj matematikat politike bazë, përpara se t’i krahasojë pensionet me veprimet ushtarake, të cilat bien ndesh me NATO-n.