Tha se në batalionin e tij ishin 250 ushtarë e janë bërë 600, Klinaku i reagon Bicit: Për çdo pastrim liste janë organet e drejtësisë

Aziz Bici, këshilltari i Kryeministrit Albin Kurti dhe ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar se në batalionin të cilin ai e ka udhëhequr, kanë qenë rreth 250 ushtarë të armatosur, ndërsa sot ky numër ka shkuar në 600.

Lajme

18/06/2022 18:53

Rreth këtyre deklaratave të këshilltarit të Kurti, ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK, Faton Klinaku, shkruan lajmi.net.

Klinaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se individët mund të devijojnë, por mund të flasin pasaktësi që t’i përshtatën pushtetit.

“Individët mund të devijojnë, por mund edhe të flasin pasaktësi që t’i përshtaten pushtetit.Sa i përket asaj që ka deklaruar Aziz Bici se në batalionin e tij ishin 250 ushtarë (e që në atë batalion isha edhe unë) e sipas tij ia paska bërë komisioni numrin 600 e vet ishte komision për vlerësim e verifikim e unë nuk kam qenë, nuk dua të merrem unë tash në publik, sepse për këtë pasaktësi të madhe i reagova edhe në takim që kishim me kryeministrin Kurti, por me këtë do të duhej që të merreshin të tjerët(komandantë e ushtarë të batalionit)”, ka thënë ai.

Më tej ai ka shtuar se do të ishte mirë që të publikohet lista prej 250 vetave në mënyrë që të shihen se cilët nga ata qindra ushtarë do të mbetën jashtë saj.

“Nga pozita që e kam unë, dhe duke pasur parasysh që si OVL UÇK kemi kërkuar hetim nga prokuroria dhe prandaj ka proces gjyqësor që duhet të përfundojë, nuk dua të merrem por do të ishte mirë të publikohet ajo listë prej atyre 250 vetave, e të shihen se cilët nga ata qindra ushtarët do të mbeten jashtë saj, por edhe për këtë mendoj se duhet të merret prokuroria”, ka vijuar tutje ai.

Klinaku, ka shtuar se lojrat politike me çështjen e listave të veteranëve nuk i bëjnë nderë askujt.

“Lojërat politike me këtë çështje, nuk i bëjnë nderë askujt. Edhe kryeministrit ia kemi bërë të qartë se propozimin që do të na japin me shkrim, duhet të jetë në përputhje me rikthimin e pikës 3.1 të nenit 16 A, që kjo qeveri e ky kuvend e ka ndryshuar, dhe për çdo pastrim liste janë organet e drejtësisë, e jo fjalët në media”, ka përfunduar Klinaku.

Duhet kujtuar se veteranët tashmë kanë protestuar dy herë para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të përfshihen në Ligjin për Paga që parasheh rritjen e pagës minimale. /Lajmi.net/