Shkruan: Dren Gërguri
Kosova ka popullsinë më të re në Europë dhe, përdorimi i medieve të reja është në shkallë të lartë pikërisht te grupmoshat e reja. Prandaj, është e rëndësishme që të përkujdesemi që të rinjtë të përgatiten sa më shumë për përdorimin e medieve, si dhe për kuptimin dhe çasjen kritike ndaj përmbajtjeve mediale. Nëse çdo i ri duhet të kalojë testin e vozitjes për të marrë lejen, atëherë ne duhet të krijojmë edhe një “test” për edukim medial. Ideja për t’u mbrojtur nga mediet është e gabuar, por, shoqëria jonë duhet thjesht të mësohet t’i përdorë mediet. Edhe ngasja e makinës ka rreziqet e veta, që nga aksidentet e vogla, e deri te aksidentet me fatalitet. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që duhet të heqim dorë nga vozitja. Rrjedhimisht, edhe me mediet, pavarësisht rreziqeve që ekzistojnë sot në botën e internetit, të rinjtë tanë, duhet thjesht të aftësohen për t’i përdorë ato, në mënyrë që të mos përjetojnë “aksidente teknologjike”. Pra, shoqëria jonë, siç aftësohet për vozitjen e makinës, duhet të edukohet edhe për përdorimin e medieve. Kjo mund të bëhet më së miri duke e përfshirë edukimin medial në planprogramet mësimore para-universitare, si dhe duke organizuar trajnime të vazhdueshme për ata që nuk janë pjesë e arsimimit formal në vendin tonë.
Praktika po na tregon çdo ditë se është e vështirë të mjaftohemi vetëm me informacionet standarde në qarkullim, në komunikim, etj. Edhe orvatjet e shfrytëzimit të inteligjencës artificiale nga disa media sociale, nuk janë treguar mjaftueshëm të efektshme, sepse personat që shpërndajnë dezinformata vazhdimisht kanë gjetur forma për të çuar “mesazhin” e tyre deri te publiku, duke e mashtruar edhe inteligjencën artificale. Pavarësisht se Facebook-u apo edhe mediet tjera sociale kanë krijuar një kornizë që identifikon dezinformatat për tema të caktuara, siç është rasti me dezinformatat e kohëve të fundit për vaksinën anti-COVID, inteligjenca artificiale nuk mund të detektojë memet, që gjithashtu janë një formë e shpeshtë e shpërndarjes së dezinformatave. Kjo tregon se mbështetja vetëm në inteligjencë artificiale nuk mjafton, prandaj është domosdoshmëri aftësimi i të gjithëve në çasjen, përdorimin dhe analizimin e përmbajtjeve dhe informacioneve të medieve. Në rrafshin global, Facebook-u tashmë ka ndërmarrë disa hapa, ndër ta edhe krijimi i “Librarisë për Edukim Digjital”.
Është koha e fundit që qytetarët të dallojnë informatat që marrin në media sociale dhe për këtë duhet reagim në radhë të parë nga Ministria e Arsimit, si institucion prijës në fushën e arsimit. Promovimi i edukimit medial duhet të bëhet bazuar në një strategji institucionale ku merren parasysh të gjitha parakushtet e nevojshme, si dhe karakteristikat e grupmoshave të ndryshme, sepse, kjo çështje, medoemos kërkon trajtim përkatës, varësisht nëse në fokus janë fëmijët, të rinjtë apo të rriturit/të moshuarit. Në këtë çështje janë disa sfida, të cilat janë paraqitur në një tekst të publikuar para më shumë se një viti. Ato mbeten të njëjtat edhe sot, për shkak se nuk ka ndonjë zhvillim a ndryshim thelbësor, qoftë në kurrikulat mësimore, në përgatitjen e kuadrit të mësimdhënësve për edukim medial, në krijimin e bibliotekës digjitale si pjesë e arsimimit joformal, e kështu me radhë.
Publikuar në hive-mind.
(Autori është profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)