Testi i Demokracisë dhe Shtetit

Presidentja Jahjaga, në intervistë për lajmi.net, thotë se pret që në zgjedhje të tregohet pjekuri politike. Mendon se reforma zgjedhore do kryhet me kohë. Pas normalizimit të raporteve me Serbinë, beson se do të vijë njohja. Mbron qëndrimin për Kosovë laike.

Lajme

30/11/2013 17:10

Të dielën e 1 dhjetorit, qytetarët e Kosovës do ta mbyllin një proces zgjedhor për t’i dhënë fund zgjedhjes së drejtuesve të 25 komunave në të cilat raundi i parë i 3 nëntorit nuk nxori qartë fituesin.

E para e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, pret që votuesit të dalin e të votojnë të zgjedhurit e tyre dhe të ngarkuarit për organizimin e zgjedhjeve ta bëjnë punën si duhet.

Presidentja Atifete Jahjaga është ulur të shtunën paradite me  lajmi.net për të folur për zgjedhjet e nesërme, reformën zgjedhore që duhet t’i pasojë zgjedhjet si kusht i vënë nga Bashkimi Europian, dialogun me Serbinë, luftën kundër korrupsionit, dhe atë që u ngjall si debat pas një deklarate të saj, muaj më parë – bartjen e shamisë nga nxënëset në shkolla.

“Ne tanimë kemi kaluar raundin e parë të zgjedhjeve në një atmosferë demokratike dhe përgjithësisht të lirë. Besoj që edhe raundi i dytë do ta tregojë pjekurinë tonë politike dhe do ta dëshmojë se mund të organizojmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, ku qytetarët votojnë pa frikë dhe në mënyrë të lirë”.

“Me procesin e zgjedhjeve, kalohet një test i demokracisë, i zhvillimit demokratik të shtetit tonë, por gjithsesi se kalohet edhe një test për avancimin e të gjitha proceseve ndërtuese për shtetin, por edhe në agjendën europiane të shtetit tonë”.

“Qytetarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore që të jenë pjesë e përbashkët e ndërtimit të shtetit tonë”, thotë Presidentja Jahjaga.

Por, një muaj më parë, kur serbët në pjesën veriore të Kosovës u ftuan nga Presidentja e Kosovës që të dalin para kutive të votimit, për herë të parë nën organizimin e Prishtinës, një grup personash të maskuar sulmuan vendvotimet, shkatërruan materialin zgjedhor dhe kësisoj prishën procesin, i cili u desh të përsëritej dy javë më pas.

Në opinionin e Presidentes së Kosovës, ajo që ka ndodhur më 3 nëntor në ato tri qendra votimi nuk guxon të përsëritet më kurrë.

“Unë pres që të gjithë qytetarët, e të gjitha komuniteteve, veçanërisht në Veri të vendit, të votojnë pa frikë. Të gjitha mekanizmat e sigurisë dhe ata që janë të thirrur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, do të garantojnë sërish zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike”.

“Ajo që ndodhi më 3 nëntor në pjesën Veriore të Mitrovicës nuk guxon më të përsëritet kurrë, sepse ne nuk mund të lejojmë që qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës të frikësohen, të keqtrajtohen dhe të privohen nga e drejta e tyre për të votuar”.

Sipas Presidentes, procesi zgjedhor në pjesën veriore ndihmon në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit në këtë pjesë të territorit dhe në integrimin e mëtutjeshëm të komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës.

“Integrimi nuk ka alternativë tjetër”, është e vendosur ajo, duke përmendur ato që i quan shembuj të mirë të integrimit të serbëve në komunat tjera të Kosovës, si Shtërpcë, Graçanicë e Kllokot.

 

Reforma, si kusht

Por, vend për festë për fituesit në zgjedhje nuk duket se nuk ka, edhe kur zgjedhjet të përfundojnë.

Fundi i procesit zgjedhor, për liderët e Kosovës duhet të shënojë fillimin e një procesi tjetër. Apo thënë më mirë, vazhdimin e një procesi të lënë në gjysmë, për shkak të mospajtimeve të tyre rreth modaliteteve.

Fjala është për reformën zgjedhore, e cila me vite po përjeton ngërç dhe për të cilën ka thirrje të forta nga bashkësia ndërkombëtare që të kryhet sa më shpejt. Madje, është vendosur edhe si kusht për përparimin e Kosovës drejt integrimit europian.

Presidentja Jahjaga beson që kjo reformë të përfundojë me kohë, por jo vetëm për hatër të porosive të bashkësisë ndërkombëtare, apo për shkak se është vënë si kusht për integrim, por edhe për shkak se kjo është në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Unë besoj që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ta gjejnë Kosovën të përgatitur dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen pas përfundimit të reformës zgjedhore”.

 

Drejt njohjes reciproke

Përderisa për reformën zgjedhore duhet pajtim brenda spektrit politik kosovar, shteti ka një proces tjetër dialogimi që është në rrjedhë.

Po bëhen gati tre vjet që kur Kosova ka nisur një dialog me Serbinë, ndërsa në prill të këtij viti është nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Presidentja Atifete Jahjaga thotë se ky dialog ka për qëllim zgjidhjen e të gjitha çështjeve që janë në interes të qytetarëve dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Dhe krejt në fund të procesit, ajo pret njohje reciproke të shteteve të Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve dhe zgjidhja e të gjitha çështjeve çon drejt njohjes reciproke”, thotë ajo.

Dhe për ta bërë këtë normalizim më të prekshëm, ajo do të përkujdeset që vitin e ardhshëm të mos e lërë homologun e saj serb, Tomislav Nikolic jashtë tryezës së samitit tradicional të katër Presidentëve të rajonit.

Në vitin 2014, radhën për ta organizuar këtë samit e ka Kosova.

“Vitin e ardhshëm mbahet samiti i radhës i katër Presidentëve të vendeve të rajonit, që është një samit tradicional mes Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe unë do t’i dërgoj ftesë zyrtare edhe Presidentit të Bosnjës e Hercegovinës, edhe Presidentit të Serbisë, sepse ideja është që të zgjerohet niveli i bashkëpunimit mes vendeve të Europës Juglindore”.

“Ne të gjitha si shtete aspirojmë integrimin në Bashkimin Europian dhe jemi të vetmet shtete që ende nuk kemi lëvizur në atë drejtim, por edhe në promovimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

“Është në përgjegjësinë e liderëve të marrin vendime të përgjegjshme të cilat çojnë vendin e tyre përpara”, thotë Atifete Jahjaga.

Presidentja pohon se deri më tani dialogu me Serbinë ka sjellë një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve të cilat duhet të implementohen.

“Jemi duke parë rezultatet e para të implementimit të tyre”.

“Unë kam thënë disa herë deri më tani që dialogu nuk ka alternativë, sepse ne kemi pasur një të kaluar të rëndë, një të kaluar të vështirë e cila ka lënë pasoja jashtëzakonisht të mëdha për shtetin tonë, për qytetarët tanë dhe përmes këtij procesi ne do t’i kontribuojmë normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve tona”.

“Ndërtimi i fqinjësisë së mirë dhe zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura janë parakushte themelore në rrugën tonë drejt integrimeve europiane. Kosova është e përkushtuar në këtë dhe ne qytetarët duhet t’i konsiderojmë si ura bashkëpunimi e jo mjete të kusuritjes”, thotë Presidentja e Kosovës.

\"Gjatë

 

Pa kompromis ndaj korrupsionit

Në planin e brendshëm, Jahjaga në vitin e parë të punës si Presidente kishte ngritur një Këshill Kombëtar në përpjekje për ta luftuar korrupsionin.

Sado që është trup joekzekutiv, Jahjaga thotë se ky këshill ka arritur rezultate në koordinimin e punëve të institucioneve përgjegjëse për ta luftuar dukurinë, e cila e radhit Kosovën goxha lart në listën e shteteve të korruptuara.

“Rezultatet e këtij këshilli janë jashtëzakonisht të mira dhe ne kemi rezultate konkrete në punën dhe në vazhdën e këtij këshilli”.

“Dëshiroj vetëm t’i përmend dy apo tri rezultate: është çështja e rritjes së numrit të prokurorëve, është çështja e mandatit permanent të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pastaj, përmirësimi jashtëzakonisht i madh i koordinimit dhe nivelit të komunikimit në mes të Policisë dhe Gjykatës, Prokurorisë dhe Agjencisë kundër Korrupsionit”.

“Unë jam e pakompromis sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, nënvizon ajo.

 

Statistikat shqetësuese për emancipimin e Gruas

Shumëkush mund ta ketë mbajtur frymën kur Atifete Jahjaga është zgjedhur Presidente e Kosovës, në prill të vitit 2011, si pjesë e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të Kosovës.

Të qenit femër në krye të një shteti të ri, nga bota demokratike ajo shihet si pjesë e imazhit të mirë të Kosovës.

Nga brenda, ajo sot beson të ketë ndikuar në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe politikë.

“Vet zgjedhja ime si Presidente e parë grua në Kosovë dhe si Presidente e parë grua në këtë pjesë të Europës Juglindore, të themi se ka hapur një lloj debati apo një lloj vlerësimi të përgjithshëm në shoqërinë tonë sa i përket rolit të gruas në shoqëri”.

Por, pavarësisht progresit, ajo thotë se duhet bërë shumë më shumë, sepse statistikat janë ende shqetësuese për të.

“E kaluara, kur gruaja ka qenë në një pozitë shumë të palakmueshme, nuk duhet të përdoret dhe nuk duhet të jetë si një lloj i pikës së referencës. Pikë reference për ne duhet të jenë vendet të cilat kanë një shkallë të lartë të zhvillimit demokratik, kanë një shkallë të lartë të demokracisë, janë vendet perëndimore, “.

“Ne kemi shumë ligje të mira, mirëpo kemi shumë ngecje sa i përket implementimit të këtyre”.

“Por, shikoni statistikat e fundit të Entit Statistikor të Kosovës. Dua të them se janë statistika jashtëzakonisht shqetësuese sa i përket nivelit të emancipimit të grave”.

“Në këtë shekull në të cilin jetojmë, në këtë trend të zhvillimeve jo vetëm rajonale por dhe globale, është me të vërtetë shqetësuese të shihen këto statistika me të cilat ballafaqohet shteti jonë dhe me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë sa i përket avancimit dhe promovimit të rolit të gruas”.

 

Për një Kosovë laike

Muaj më parë, një deklaratë e saj kundër bartjes së shamisë nga nxënëset në shkolla kishte nxitur reagime nga komuniteti fetar islam në Kosovë.

Disa gra të mbuluara, madje dolën para zyrës së saj për të protestuar.

Por, Jahjaga e ka ndërmend të rezistojë në deklaratat e saj.

“Nuk do të merrem me reagime dhe me tendenca për ta politizuar një religjion për qëllime të caktuara”.

“Si Presidente e Republikës së Kosovës, jam faktor i unitetit dhe jam garantuese e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendit”.

“Ne jemi të përkushtuar për një Kosovë laike, ku shteti është i ndarë qartë prej fesë dhe ku liria fetare e secilit qytetar është e garantuar dhe mbi këto parime, unë vazhdoj të jem shumë e prerë dhe do të vazhdoj të jem shumë e prerë”.

“Shkollat publike të cilat financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, ku shkollohen të rinjtë apo nxënës të moshave minore, duhet të jenë forume të cilat nuk duhet të shkaktojnë ndasi as gjinore, as etnike e as fetare. Pra, nuk duhet të lejohet dhe nuk do të lejohet bartja e simboleve fetare përfshirë këtu edhe shaminë. Por, situata ndryshon pas moshës së 18 vjeçare dhe Universiteti Publik vetëm se i ka akomoduar edhe shaminë por edhe ritet e tjera përcjellëse”.

Ajo thotë se Kosova në historinë e vet ka qenë e shquar për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare dhe kjo tolerancë nuk është vetëm diçka që kemi përbrenda këtyre viteve të fundit, por ka qenë njëra prej vlerave të cilat i vendi i ka trashëguar me dekada me radhë.

“Ne duhet të vazhdojmë të promovojmë vlera të tilla, sepse kjo është e cila ka identifikuar Kosovën dhe ne gjithmonë i kemi përkitur atij niveli të civilizimit”.

Në këtë drejtim, ajo përmend fenomenin e rekrutimit të të rinjve kosovarë për të marrë pjesë në luftën civile të Sirisë.

“Si shoqëri ne duhet të qëndrojmë besnik ndaj këtij vizioni dhe ne duhet të refuzojmë çdo interpretim i cili çon drejt radikalizmit. Mos të themi sepse tashmë ne i kemi parë shenjat e para të aderimit të qytetarëve tanë në luftën në Siri”, thotë Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga për lajmi.net.