Terrorist i ati, xhelat i biri

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Comey, ka deklaruar se është identifikuar vrasësi i tre perëndimorëve të marrë peng nga “Shteti Islamik”, dy gazetarëve amerikanë, James Foley dhe Steven Stoloff, dhe punëtorit humanitar britanik, David Haines.

Bota

26/09/2014 11:55

Comey në një konferencë për gazetarë, nuk e bëri të njohur emrin e ekzekutorit, por tha se FBI-ja e ka tashmë të njohur identitetin e  burrit që e kishte mbuluar fytyrën me një thes të zi kur fliste me theks britanik në videot që qarkulloi grupi terrorist “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit” (ISIL), e ku paraqiteshin vrasjet me prerje koke të dy gazetarëve amerikanë dhe një punonjësi britanik ndihmash.

Kush është vrasësi?

Terroristi i “Shtetit Islamik” i cili vrau dy gazetarët amerikanë dhe një punëtor humanitar britanik, sipas mediave londineze është i njohur me nofkën Jihadi John, ndërsa emri i tij i vërtetë është Abdel-Majed Abdel Bary, një raper 23-vjeçar i dështuar, i cili vitin e kaluar la Londrën dhe u bashkua militantëve radikalë sunitë të ISIL-it.

Javën e kaluar, babai i tij, 54-vjeçar, Adela Abdel Bary, me lot në sy u vetëshpall fajtor në Gjykatën Federale në Manhatanit për konspiracionin e organizuar për të vrarë amerikanët dhe rolin e tij në shpërthimin që e kreu Al Qaeda në dy ambasada amerikane, në Kenia dhe Tanzani, më 1998, e që la të vdekur 224 veta.

Jihadi John është një nga disa qindra myslimanë britanikë, të cilët i janë bashkuar grupit terrorist ISIL, i cili pas masakrave, vrasjes së më shumë se 5000 irakianëve, të krishterë dhe myslimanë shiitë, shpalli në korrik kalifatin e vet të quajtur “Shteti Islamik” dhe i cili shtrihet në territoret e pushtura të Irakut dhe Sirisë.   

Jihadi John është pjesë e një treshe të njohur si “Egërsira” për shkak të vrasjeve cnjerëzore, por edhe si “Killer Beatles”, për shkak të theksit të tyre anglez gjatë të folurit.

Dy  xhelatët e tjerë xhihadistë, emrat e të cilëve nuk janë konfirmuar nga autoritetet amerikane dhe ato britanike, sipas New York Daily News, janë  identifikuar si Razul Islam, 21 vjeçar, dhe Aine Davis, 30 vjeç.

Ndërkohë drejtori i FBI-së në konferencën për shtyp po ashtu se ende mund të jenë duke u organizuar komplote terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane, përkundër sulmeve ajrore të kësaj jave kundër organizatave terroriste në Siri dhe Irak, ISIL-it dhe celulës së Al-Qaedas, të njohur si Khorasan.

“Nuk mendoj që sulmet e koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara i kanë prishur planet e grupit Khorasan. Ky grup mbetet në krye të listës së FBI-së për terrorizimin. Ai ka në radhët e veta veteranë të Al-Qaedas nga Afganistani dhe Pakistani”, tha Comey.

FBI ka njoftuar se aktualisht rreth 12 shtetas amerikanë ndodhen në Siri për të luftuar krahas me grupet ekstremiste.

“Mbi 100 amerikanë janë diktuar, janë arrestuar gjatë përpjekjeve për të shkuar në Siri, ose janë kthyer në SHBA, pasi kanë marrë pjesë në konfliktin sirian. Ata që janë kthyer në SHBA pasi kanë luftuar me grupe ekstremiste janë nën hetim, nën vëzhgim, ose janë arrestuar”, tha ndër të tjera Comey.