Tërnava: Ruani karakterin festiv të Bajramit

Pas tridhjetë ditë agjërimi, nesër besimtarët myslimanë gjithandej botës festojnë Fitër Bajramin, ceremonia e festimit të kësaj feste myslimane fillon me faljen e namazit të mëngjesit.

Lajme

23/05/2020 11:59

Në vendin tonë, si zakonisht manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, por këtë vit për shkak të masave kundër pandemisë, xhamitë do të jenë të mbyllura.

Duke bërë që shumë myslimanë në botë të kenë të pamundur ta shënojnë këtë festë, sipas traditave të zakonshme.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e Fiter Bajramit tha se myslimanët mbyllin agjërimin e muajit madhështor të ramazanit, duke theksuar se ky muaj është një ndër themelet e besimit islam.

“Sonte, në vaktin e iftarit besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të madhëruar të ramazanit, një ndër themelet e besimit islam, i cili kryhet nga besimtarët vetëm për krijuesin e gjithësisë… Ne gjatë gjithë muajit të ramazanit, të cilin po e përcjellim sot shtuam lutjet e ibadetet tona, ishim më afër mësimeve Kuranore, më afër porosive të Pejgamberit a.s. dhe më të ndjeshëm për ata që kanë nevojë për ndihmën e përkrahjen tone”, tha Tërnava.

Tërnava deklaroi se, për shkak të pandemisë Covid-19, ky ramazan ka qenë ndryshe për besimtarët e besimit islam, e krejt kjo për shkak që ritet fetare nuk kanë mundur t’i kryejnë nëpër xhami.

“Ky Ramazan për ne si edhe për të gjithë besimtarët e botës qe më i veçantë, ngase siç dihet tash e një kohë po përballemi me virusin Covid-19 që tashmë është në shkallë të pandemisë globale. Për shkak të pandemisë ne myslimanët jemi privuar nga namazet në xhami, kështu që gjatë ramazanit përveç namazeve tjera na ka munguar edhe namazi i teravisë, na kanë munguar vizitat e iftaret te njëri tjetri që gjithashtu janë prej nimeteve të këtij muaji, mirëpo ne me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë dhe mbrojtjes së jetëve të njerëzve tanë, të gjitha ibadetet e lutjet e nevojshme i kemi kryer në ambientet tona familjare”, deklaroi ai.

Tërnava bëri të ditur që për shkak të pandemisë, namazi i bajramit nuk do të falet në xhami. Me këtë rast ai i bëri thirrje të gjithë myslimanëve të respektojnë rregullat duke i shmangur edhe vizitat tradicionale që bëhen për këtë festë.

“Ne nesër kemi festë, festë e cila vjen pas përfundimit të muajit të agjërimit- ramazanit, shkaku i pandemisë nuk do kemi mundësi që të falim namazin e bajramit, andaj ju ftoj të gjithëve që të ruani karakterin festiv të Bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj. Ju porosis që të shmangni vizitat tradicionale që bëhen për Bajram, sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar ende, ndërsa ne me veprimet tona dhe disiplinën tonë mund të bëjmë që ky virus të dobësohet dhe sa më parë të shpallim fitoren ndaj kësaj pandemie”, tha Tërnava.

Kjo festë vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.