“Termokos” nga sezoni i ardhshëm do të ofrojë ngrohje të mjaftueshme

Qytetarët e Prishtinës, të cilët ngrohen nga “Termokos”, gjatë sezonit 2014-2015, do të kenë ngrohjet të mjaftueshme, fal një projekti të financuar nga Qeveria e Suedisë, në vlerë mbi 1 milion 64 mijë euro.

Lajme

19/03/2014 12:11

Marrëveshja e  nënshkruar  sot, ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Bankës gjermane për Zhvillim , dhe Ngrohtores “Termokos”, do të mundësoj që vitin e ardhshëm, konsumatorët e ngrohtores së qytetit, të kenë ngrohje të mjaftueshme.

Ministri i Financave Besim Beqaj, ka thënë se kjo marrëveshje është e  drejtpërdrejt për  përmirësimin të sistemit  të ngrohjes  në fushën e koogjenerimit, njëkohësisht edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Marrëveshja është në vlerë 1 milion e 64 mijë e 848 euro, donacion nga qeveria suedeze.  Unë dua të falënderoj qeverinë suedeze e cila ka nda mjete nga taksapaguesit e vet për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, në këtë rast  qytetarëve tonë në Prishtinë, për të bërë përmirësime në fushën e koogjenrimit.”

“Tani janë 3 kilometra gypa të vendosur  dhe presim që të fillojmë, ndërtimi i stacionit të këmbimi të nxehtësisë,  brenda këtij muaji. Gjithashtu diskutimet  janë duke u zhvilluar edhe me KEK’un, për të gjetur kohën e përshtatshme për intervenime nga projekti i koogjenrimit në turbinat e Kosovës”.

“Kosova B, do të jetë furnizuese me avull, kjo nxehtësi do të shkoj deri në “Termokos”, dhe do të jetë pastaj në radiatorët e të gjitha familjeve në Prishtinë.”

Beqaj ka thënë se projekti parasheh një kosto shtesë, të cilin e kemi identifikuar gjatë zhvendosjes të stacionit të këmbimit të nxehtësisë.

“Qeveria është e gatshme që të diskutoj me donatorë , për mbulimin e kësaj kosto shtesë , por edhe të marrë edhe përgjegjësi vet , në mënyrë që ky projekt të përfundohet”

Ndërkaq, Esther  Gravenkoter, Drejtoresh e Bankës  gjermane për Zhvillim, ka vlerësuar si projekt shumë të rëndësishëm.

“Termoksi, do të jetë në gjendje që të ofroj  ngrohje të mjaftueshme për qytetarët e Prishtinës.”

“Ky është një projekt me përfitime të shumë fusha , siç janë ulja e ndotjes, pastaj zvogëlimi i shpenzimeve për ngrohje, po ashtu dhe rritja e kapacitetit, të prodhimit, si dhe zvogëlimi i kërkesave për energji elektrike”.

Arsim Janova drejtor menaxhues në” Termokos, ka thënë se ky projekt do ulë në 50%, shpenzimet për ngrohje.

“Është i një rëndësie të veçantë, njëherë e për gjithmonë hiqet nga përdorimi mazuti, i cili është shumë i shtrenjtët, bëhet ulja e shpenzimeve për 50 %,  do të ketë ngrohje të mjaftueshme për qytetarët tanë”

Ndërkaq, Maria Mebing konsull në Ambasadën suedeze në Prishtinë, ka thënë se  për Qeverinë  suedeze ky është një projekt shumë i rëndësishëm e cila shpreson se do të përmirësojë ngrohjen e qytetarëve të Prishtinës.