Tërheqja e komunave me shumicë serbe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës – vjen reagimi nga drejtori i AKK-së: Anëtarësimi bazohet në vendimin e lirë të secilës komunë
Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë vendosur të enjten të largohen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), duke shprehur synimin për t’u bërë pjesë e një asociacioni të veçantë të komunave me shumicë serbe në vend. Pas këtij vendimi, për lajmi.net…
Lajme
Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë vendosur të enjten të largohen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), duke shprehur synimin për t’u bërë pjesë e një asociacioni të veçantë të komunave me shumicë serbe në vend.
Pas këtij vendimi, për lajmi.net ka reaguar drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka theksuar se anëtarësimi në AKK është çështje vullnetare dhe se çdo komunë ka të drejtë të vendosë në mënyrë të pavarur.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës AKK është organizatë vullnetare, anëtarësimi në të cilën bazohet në vendimin e lirë dhe autonom të secilës komunë, në përputhje me Statutin e AKK-së dhe parimet e vetëqeverisjes lokale”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se pavarësisht këtij veprimi, misioni i Asociacionit mbetet i njëjtë dhe i pandikuar nga zhvillimet e fundit.
“Misioni i AKK-së mbetet i pandryshuar: përfaqësimi i interesave të komunave të Republikës së Kosovës, fuqizimi i vetëqeverisjes lokale dhe avancimi i shërbimeve për qytetarët, pa dallim partie apo etnie”, ka thënë ai.
Drejtori i AKK-së ka rikujtuar se Asociacioni ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol kyç në bashkëpunimin ndërkomunal në Kosovë.
“Gjatë gjithë veprimtarisë së saj, AKK ka qenë dhe vazhdon të jetë platforma kryesore e bashkëpunimit ndërkomunal”, ka theksuar Ibrahimi.
Sipas tij, AKK u ofron komunave një sërë përfitimesh konkrete në funksion të qeverisjes lokale.
“Asociacioni ofron përfaqësim institucional të komunave në nivel qendror dhe ndërkombëtar, mbështetje profesionale dhe ligjore për komunat, ngritje të kapaciteteve përmes trajnimeve dhe kolegjiumeve profesionale, zbatim të projekteve të rëndësishme me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në qeverisjen lokale”, ka deklaruar ai.
Në fund, Ibrahimi ka nënvizuar përkushtimin e Asociacionit për të vazhduar bashkëpunimin me të gjitha komunat dhe partnerët institucionalë.
“AKK mbetet e përkushtuar të punojë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë për forcimin e demokracisë lokale, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel komunal”, ka thënë ai.
Duke përmbyllur reagimin e tij, drejtori i AKK-së ka theksuar se puna e Asociacionit do të vazhdojë pa ndryshime.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e tij në përputhje me mandatin statutor dhe interesin e përgjithshëm të vetëqeverisjes lokale në Kosovë”, ka deklaruar Sazan Ibrahimi./lajmi.net/