Tërheqja e kandidatëve për kryeprokuror, proceduralisht në rregull, në aspektin etik jo

Procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit është përcjellë me tërheqjen e kandidatëve për këtë post si dhe me tërheqjen e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi nga Këshilli Prokurorial.

Lajme

02/03/2015 18:52

I vetmi kandidat që ka mbetur është Aleksandër Lumezi, emri i të cilit pritet të dekretohet nga Presidentja.

Për zgjedhjen e Kryeprokurorit, ku ishte zgjedhur Lumezi 7 muaj më parë, palët kishin dërguar ankesë në Kushtetuese për zgjedhjen e tij, kurse Kushtetuesja mori vendim që ta kthente procesin nga fillimi.

Por, në procesin e dytë të zgjedhjes asnjë palë nuk është ankuar në Kushtetuese.

Këshilltari i ministrit Hajredin Kuçi, Driton Lajçi tha për InfoMagazinë të Klan Kosovës se të gjithë janë të interesuar që Kosova të ketë sa më parë Kryeprokuror.

“Shqetësimi i të gjithë neve është që të kemi sa më shpejt një kryeprokuror të shtetit”, tha Lajçi.

Ndërkaq, Petrit Zogaj, nga Lëvizja FOL,  tha se zgjedhja e Kryeprokurorit është luftë politike brenda vet PDK-së.

“Nuk besoj se anëtarët e Këshillit prokurorial janë ithtarë të skenarëve të filmave italianë, por me përpikëri po e kanë këtë qasje. Brenda Këshillit prokurorial lehtë mund të influencohen, komplet është një skenar që do t’i kishte lakmi ndonjë regjisor i filmave. Mbi të gjitha, është luftë politike e LDK-së, por më shumë e PDK-së, që të kenë fuqi brenda Këshillit prokurial. Ashiqare dihet se ka influencë politike brenda Këshillit prokurial”, thotë ai.

Për tërheqjen e kundërkandidatëve të Lumezit, Driton Lajçi thotë se proceduralisht është në rregull, por në aspektin etik dhe politik jo.

“Jam kundër agjendave klanore, private dhe partiake dhe për mua personalisht largimi i kandidatëve nuk është gjë e mirë. Është një nuhatje se diçka e mirë nuk po ndodhë. Në aspektin profesional dhe procedural është në rregull. Nuk është në rregull që të ketë kaq luftë prej kolegëve që t’i pamundësohet një njeriu që të zgjidhet edhe pse ai ka marrë vota”.

“Me këto ndërskamca për pamundësimin e zgjedhjes së tij, në aspektin politik dhe etik nuk janë në rregull, por proceduralisht është në rregull”, tha Lajçi. (lajmi.net)