Tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë – ShBA-ja dhe Britania e Madhe thirrje për rikthim në dialog
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rënduar sërish gjatë muajve të fundit, ku Serbia vazhdon me avazin e vjetër të ndalimit të shtetasve të Kosovës në pika kufitare. Arrestimet e qytetarëve të Kosovës që po kalojnë tranzit në Serbi nga autoritetet serbe kanë ngritur alarm tek ndërkombëtarët, shkruan lajmi.net. Dje dy shtetet mike të Kosovës,…

Lajme
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rënduar sërish gjatë muajve të fundit, ku Serbia vazhdon me avazin e vjetër të ndalimit të shtetasve të Kosovës në pika kufitare.
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës që po kalojnë tranzit në Serbi nga autoritetet serbe kanë ngritur alarm tek ndërkombëtarët, shkruan lajmi.net.
Dje dy shtetet mike të Kosovës, ShBA dhe Britania e Madhe dolën publikisht me thirrje që dy vendet t’i rikthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati gjatë një deklarimi për Gazetën Express ritheksoi se dialogu është kanali për zgjidhjen e çështjeve.
“Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është tejet e rëndësishme. Çdo plan për ta ndryshuar statusin e institucioneve paralele duhet të jetë i koordinuar plotësisht dhe të diskutohet paraprakisht me udhëheqësit e zgjedhur dhe anëtarët e komunitetit serb të Kosovës dhe të koordinohet përmes kanaleve të vendosura siç është Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një afat kohor dhe plan të qartë të përcaktuar. Nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë në mënyrë të përgjegjshme”, tha ajo.
Të njëjtën thirrje e bëri dje edhe Britania e Madhe.
Emisarja e për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce në një telefonatë që e pati dje me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti ia ritheksoi atij se dialogu është rruga për të zgjidhur problemet.
“Dame Karen Pierce, e dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, bisedoi sot me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar shqetësimet e saj lidhur me tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe nevojën për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dame Karen theksoi se Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të mirëpresë përfaqësuesit e Kosovës në takimet e Procesit të Berlinit, që do të mbahen në tetor në Mbretërinë e Bashkuar. Dame Karen do të bisedojë gjithashtu edhe me Presidentin e Serbisë.”, u tha në njoftimin e djeshëm të ambasadës britanike në Kosovë.
E dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur thuajse në rrugë pa dalje që nga koha e sulmit terrorist në Banjskë.
Dialogu ka stagnuar krejtësisht, derisa nga vendet e QUINT-it theksohet se e vetmja zgjidhja e problemeve në mes dy vendeve mbetet pikërisht dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja.
E sot në Prishtinë për vizitë zyrtare vie edhe emisari i BE-së për dialog, Peter Sorensen. Sorensen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, derisa agjenda e tij e takimeve të tjera zyrtare nuk është bërë e ditur./Lajmi.net/