Tensione në seancën gjyqësore për aktivistët e VV-së të akuzuar për sulm në Kuvend (Video)

Gjyqtari Beqir Kalludra kërkoi përjashtimin e Egzon Halitit nga seanca për sulmin në Kuvend, por më pas hoqi dorë nga përjashtimi.

Lajme

30/03/2017 15:38

Në gjykimin e katër aktivistëve të VV-së për sulmin në Kuvend, gjyqtari Beqir Kalludra kërkoi përjashtimin e të akuzuarit Egzon Haliti.

Gjyqtari Kalludra përjashtimin e Halitit nga seanca e kërkoi me arsyetimin se ai foli pa rend.

“Nuk do të lejoj që të flitet nga vendi kush të dojë e kur të dojë”, tha Kalludra, duke kërkuar që policia ta largojë Egzon Halitin nga salla e gjyqit.

Frashër Krasniqi, i akuzuari tjetër i këtij procesi, kur policët iu afruan Egzon Halitit për ta larguar nga seanca, reagoi duke thënë se gjyqtari Kalludra dëshiron ta prishë seancën.

“A keni me prish seancën me qëllim, a çka është puna”, tha Frashër Krasniqi, duke iu drejtuar gjyqtarit.

Gjyqtari Kalludra pastaj vendosi që Egzon Haliti të qëndrojë në seancë, por ia dha atij vërejtjen e fundit.

Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha e Frashër Krasniqi akuzohen për terrorizëm, ngase sipas prokurorisë në gushtin e vitit 2016 sulmuan me mjet shpërthyes ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Këta aktivistë të “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht të vitit të kaluar.

YouTube player