​“Tendencë për rritje të votës, rrezik për moskalim të pragut”, si po shihen lëvizjet e fundit të partive politike

Tendencë për të rritur votën po shihet koalicioni zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje me partnerët e saj të kahershëm Guxo dhe Alternativa, si dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Sipas analistëve politikë, koalicioni i LVV-së, është më shumë simbolik dhe formal, pasi emrat kyç të Guxo dhe Alternativa, veçse kanë krijuar identitet brenda partisë së Kurtit. Në anën…

Lajme

01/12/2025 16:40

Tendencë për të rritur votën po shihet koalicioni zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje me partnerët e saj të kahershëm Guxo dhe Alternativa, si dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Sipas analistëve politikë, koalicioni i LVV-së, është më shumë simbolik dhe formal, pasi emrat kyç të Guxo dhe Alternativa, veçse kanë krijuar identitet brenda partisë së Kurtit.

Në anën tjetër, vendimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për të garuar të vetme në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit po konsiderohet i pritshëm. Megjithatë, vendimi i Nismës për të mos lidhur koalicion parazgjedhor me asnjë parti po shihet me rrezik të madh, pasi sipas analistëve e njëjta rrezikon të mos kalojë pragun zgjedhor.

Politologu Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress, se mungesa e koalicioneve të mëdha parazgjedhore mes partive politike ka qenë e pritshme, pasi hendeku mes tyre është i madh. Ai shprehet i habitur me Partinë Shqiptare Demokristiane, e cila ia ka bashkuar LVV-së, në koalicion parazgjedhor.

“Në përgjithësi këto zhvillime kanë qenë të pritshme. Hendeku është shumë i madh mes partive politike, prandaj ka qenë iluzore të pritej ndonjë koalicion më i madh ose bllok i koncentruar i partive politike… Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë këtë koalicion me partitë e vogla. Mendoj se ky është një koalicion simbolik dhe vetëm formal. Në esencë këto parti janë ekstremisht të vogla dhe nuk çojnë peshë jashtë Lëvizjes Vetëvendosje. Asnjëra prej tyre nuk mund të siguronte pragun zgjedhor… Arsyeja pse Lista Guxo dhe Alternativa janë në koalicion me LVV-në, janë për shkak të individëve: Zonjës Mimoza-Kusari-Lila, Zonjës Gërvalla dhe përfaqësuesve të tjerë. Përfaqësuesit e Guxo dhe Alternativës janë fuqizuar shumë në këtë mandat, prandaj edhe shihen si përfaqësues të LVV-së dhe kanë krijuar një identitet brenda LVV-së… Partia Demokristiane ka qenë gjithmonë aleate e LDK-së dhe është e çuditshme që e ka bërë këtë hap. Besoj se nuk ka pasur një ofertë bindëse nga LDK-ja, përndryshe nuk do të ndryshonin aleatin. Ajo që është e qartë, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar të maksimalizojë votën qoftë edhe me një parti të vogël si demokristianët”, thekson ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë qenë në negociata për të bashkëpunuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Megjithatë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte thënë se pranojnë të bashkëpunojnë me Nismën vetëm nëse kjo parti përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë dhe jo përmes koalicionit formal.

Përkundër pritjeve, Nisma Socialdemokrate ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

E analisti politik, Blerim Canaj, thotë për KosovaPress, se lideri i Nismës, Fatmir Limaj, më shumë është i ndërtuar për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike të Kosovës sesa me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq, megjithëse LVV-ja lidhi koalicion zyrtar me Guxo dhe Alternativa, ai deklaron se këto dy parti veçse janë shkrirë në LVV. Sipas tij, më ekstrem Vetëvendosje janë bërë zyrtarët e Guxo dhe Alternativës, sesa vet ata që e kanë themeluar LVV-në.

“Ata vetëm e shesin si të tillë sikur janë disa parti, por që janë të shkrira, ajo s’do koment. E kemi parë që më ekstrem Vetëvendosje janë bërë kandidatët e Listës Guxo dhe Alternativës sesa vet ata që e kanë themeluar Lëvizjen Vetëvendosje. Te LVV-ja jemi në një situatë tjetër, ndërkaq te PDK dhe LDK është më ndryshe, sidomos kur flitet për zotëri Limaj. Limaj është i ndërtuar për PDK-në dhe jo për LDK-në”, thekson ai.

Mungesën e koalicionit dhe bashkëpunimit mes LDK-së dhe Nismës e sheh problematike për bllokun e ish-opozitës, politologu Artan Muhaxhiri. Ai thotë për KosovaPress, se pjesëmarrja e Nismës si parti e vetme në zgjedhje është rrezik, pasi e njëjta s’ka asnjë gjasë të kalojë pragun zgjedhor.

Muhaxhiri përmend një mori shkaqesh pse asnjë parti nuk arriti koalicion parazgjedhor me Nismën, derisa thekson përvojën e hidhur që kjo parti e pati në zgjedhjet e kaluara me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ajo çka ka ndodhur me Nismën është pasojë e asaj që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Zotëri Limaj u bë aleat i Aleancës por pastaj u nda. Në përgjithësi, tradicionalisht partitë e vogla kanë përfituar shumë kur janë bërë pjesë e listave të partive të mëdha. Përveç që e kanë pasur të siguruar kalimin e pragut, edhe numri i kandidatëve për deputetë në këto lista ka qenë shumë më i madh sesa realisht që kanë pasur. Gjithsesi pas zgjedhjeve kanë pasur mundësinë që të shkëputen dhe të shndërrohen në një subjekt autonom qoftë në parlament dhe pastaj të kërkojnë edhe pushtet. Gjithsesi, kësaj radhe nuk ka ndodhur pasi LDK-ja e ka parë që më shumë do të humbte sesa do të përfitonte me zotëri Limaj. Edhe akti i zgjedhjeve të kaluara kur hyri në zgjedhje me Haradinaj dhe pastaj u përçan ka bërë që partitë të jenë më të kujdesshme kësaj radhe. Gjithsesi kjo e dëmton zotërin Limaj pasi pothuajse s’ka asnjë gjasë të kalojë pragun zgjedhor me këtë kontekst politik”, thekson ai.

Koalicione parazgjedhore përveç koalicionit në mes Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partisë Shqiptare Demokristiane, janë zyrtarizuar edhe dy koalicione të tjera. Sipas KQZ-së, koalicion kanë arritur “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB); dhe koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV).

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor.