Temperaturat e larta, qytetarët tregojnë si po ia dalin me vapën afrikane
Vendi ynë vazhdon të përballet me temperatura të larta, të cilat arrijnë deri mbi 36 gradë Celsius. Kjo valë e të nxehtit me masa ajri nga Afrika, po ndikon ndjeshëm në aktivitetet e përditshme të qytetarëve. Institucionet shëndetësore apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht për grupet më të ndjeshme si të moshuarit, fëmijët dhe ata…

Lajme
Vendi ynë vazhdon të përballet me temperatura të larta, të cilat arrijnë deri mbi 36 gradë Celsius. Kjo valë e të nxehtit me masa ajri nga Afrika, po ndikon ndjeshëm në aktivitetet e përditshme të qytetarëve.
Institucionet shëndetësore apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht për grupet më të ndjeshme si të moshuarit, fëmijët dhe ata që punojnë në ambientet e jashtme.
Rekomandohet që daljet dhe aktivitetet fizike të kufizohen gjatë mesditës, të sigurohet ajrosje e mjaftueshme në ambientet e mbyllura të punës dhe të vendosen pika freskimi në hapësirat e jashtme, si dhe të garantohet qasje në ujë të ftohtë për punëtorët.
Qytetarët këshillohen të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell.
Qytetari Hakif Bejtullahu thotë se temperaturat janë të larta janë të zakonshme në këtë pjesë të vitit.
“Po, shumë vapë e madhe, mua nuk më mundon i nxehti, mirëpo prapë është nxehtë. Unë nuk kam pasur vështirësi gjatë të nxehtit… Vetëm të qëndrojmë në hije, tjetër nuk kemi çfarë të bëjmë – klimën nuk mund ta marr me vete .. Kush mundet, le të mos dal në diell. Disa punojnë dhe nuk kanë çfarë të bëjnë”, tha Bejtullahu.
Afërdita Jahijaj thotë se ka kujdes gjatë pikut të nxehtësisë ekstreme ditore dhe preferon të del vetëm në mëngjes dhe mbrëmje kur është më freskët.
“Shumë nxehtë, jo nuk kemi vështirësi gjatë temperaturave të larta. Unë nuk dal shumë, kur është koha e nxehtë rri brenda… Preferoj të dal në mbrëmje dhe mëngjes,” tha Jahijaj
Shaban Toshtena thotë temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm të njeriut andaj duhet të jemi të kujdesshëm.
“Jo aspak, shumë bukur është. Jo, mosha ‘e kërkon’ nxehtësinë. Kush e ndjen veten të dobët duhet të ruhet. Koha më e mirë është në mëngjes dhe mbrëmje,” tha ai.
Kujtojmë se Evropa Jugore është përfshirë nga vala ekstreme e të nxehtit, ndërsa temperaturat kalojnë mbi 40 gradë Celsius dhe shkencëtarët paralajmërojnë për një ‘koktej molotovi’ të kushteve klimatike që po nxit zjarre të mëdha në të gjithë Mesdheun.
Organizata Botërore Meteorologjike tha se zjarret dhe cilësia e dobët e ajrit po përkeqësonin efektet negative shëndetësore të nxehtësisë ekstreme.
Studiuesit vlerësojnë se temperaturat e rrezikshme në Evropë do të vrasin 8 mijë deri në 80 mijë njerëz më shumë në vit deri në fund të shekullit, pasi jetët e humbura për shkak të nxehtësisë më të fortë i tejkalojnë ato të shpëtuara nga moti më i ftohtë./kp