Teatër në Prishtinë
Isa Mustafa ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do t`i kushtojë më shumë rëndësi investimeve në fushën e kulturës. Aktorëve u premtoi një Teatër të ri.

Lajme
Nëse do ta udhëheqë edhe për një mandat Komunën e Prishtinës, Isa Mustafa premtoi investime më të mëdha në kulturë.
Përveç projekteve të realizuara, Mustafa ka shpalosur programin për kulturën në mandatin e ardhshëm.
Në një koktej të organizuar nga LDK, në praninë e shumë figurave të rëndësishme të muzikës, artit, teatrit Mustafa ka thënë sot se do t`i japë më shumë hapësirë kulturës pasi që tani kanë përfunduar projektet të cilat ai i quajti emergjente.
“Ne do të rrisim investimet për kulturë në periudhën e ardhshme kohore sepse kemi përfunduar pothuajse gati të gjitha investimet emergjente të cilat i kemi pasur gjatë kësaj periudhe, shkollat rrugët qendrat e mjekësisë familjare”.
“Tani na ka mbetur më shumë të punojmë hapësirat e gjelbra, në objekte sportive për të rinj të punojmë në objekte kulturore”.
Mustafa u premtoi aktorëve të Teatrit Dodona se do t`ua ndërtojë edhe një teatër. Plani i tij nuk mbaron këtu, pasi kryetari aktual ka në plan ndërtimin e “Muzeut të Eksodit”.
“Do ta ndërtojmë teatrin e qytetit që i kemi premtuar teatrit Dodona për arsye se ky teatër ka dhënë më së shumti shfaqje nga të gjitha teatrot e Kosovës”.
“Kemi premtuar se do ta ndërtojmë Muzeun Eksodit. Ideja është që të bëjmë një muze në të cilin ne do të ekspozojmë të gjitha fotografitë që shënojnë periudhën e viteve ‘99, kur është bërë eksodi i madh i popullatës shqiptare nga Kosova”.
Sipas tij, investimet do të vazhdojnë edhe në restaurimin e objekteve tjera kulturore e fetare me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.