Të shtëna me armë në Miradi, plagoset një person – i dyshuari në arrati

Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit në fshatin Miradi të Fushë-Kosovës. Rasti është konfirmuar për Lajmi.net nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se Policia është vënë në dijeni për rastin pasi i plagosuri ka kërkuar ndihmë…

Lajme

29/09/2026 19:24

Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit në fshatin Miradi të Fushë-Kosovës.

Rasti është konfirmuar për Lajmi.net nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se Policia është vënë në dijeni për rastin pasi i plagosuri ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK.

“Rreth orës 15:30, policia ka pranuar informatën nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) se një person i plagosur me armë zjarri, në një rast të ndodhur në fshatin Miradi të Fushë-Kosovës, ka kërkuar trajtim mjekësor”, deklaroi Ahmeti.

Pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e incidentit.

“Menjëherë janë angazhuar njësitet policore, të cilat kanë nisë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha ajo.

Sipas Ahmetit, Policia tashmë ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar për rastin, mirëpo ai ende nuk është arrestuar.

“I dyshuari është identifikuar, por aktualisht gjendet në arrati”, bëri të ditur zëdhënësja e Policisë.

Ajo shtoi se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

“Veprimet e mëtejshme po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, përfundoi Ahmeti./lajmi.net/