Të rritet bashkëpunimi tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë

Rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar në mes të dy vendeve, e sidomos në këtë kohë pandemie me të cilën po ballafaqohemi ishte qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë dhe përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit dhe të Kukësit.

Lajme

07/04/2020 17:35

Gjatë këtij takimi në pikën kufitare në Morinë u diskutua rëndësia e shkëmbimit të lirë të mallrave dhe detyrimet që duhet të përmbushin të dyja vendet.

Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi theksoi që qëllimi kryesor i këtij takimi është monitorimi nga afër i situatës se me çka po përballen bizneset gjatë shkëmbimit të mallrave. Krasniqi tha se bizneset po qarkullojnë pa probleme, që nënkupton se nuk janë duke hasur në pengesa. Rritja e bashkëpunimit në këtë kohë krize është më se e domosdoshme në mënyrë që qytetarët të furnizohen sa më mirë me të gjitha produktet e nevojshme – shtoi Krasniqi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi tha se në këtë situatë me të cilën po ballafaqohemi, është shumë e rëndësishme që të minimizohen të gjitha problemet që mund të hasen në zonën doganore. Minxhozi potencoi se qytetarët e Kosovës ndihen të sigurtë që Porti i Durrësit është edhe porti i tyre, e sidomos këto ditë që është duke punuar me intensitet të plotë në mënyrë që qytetarëve të mos iu mungojë asgjë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka tha se duke u bazuar në situatën pandemike me të cilën jemi duke u ballafaquar, shkëmbimi më i madh tregtar do të kishte ndikim të mirë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, e sidomos duke u bazuar në faktin që tregjet globale janë duke hasur probleme meqë janë ndërprerë linjat e ndryshme të prodhimit.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici, theksoi që pika kufitare në Morinë gjatë kësaj kohe është duke funksionuar shumë mirë. Gjici shtoi se janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë me qëllim që të funksionojnë sa më mirë drejt shkëmbimit të mallrave.

Kryeinspektori i Përgjithshëm në Shqipëri, Shkëlqim Hajdari theksoi që qarkullimi i lirshëm i mallrave është duke vazhduar edhe në këtë kohë të virusit, megjithatë duhet të krijohen edhe më shumë lehtësira gjatë shkëmbimit tregtar mes të dyja vendeve.

Ndërsa drejtorët rajonal të policisë kufitare kanë deklaruar se që nga fillimi i muajit prill në Kosovë kanë hyrë 1209 kamionë, ndërsa kanë dalur 1315.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi kryetar i bordit, Hasan Gigollaj dhe Lulzim Begaj anëtar të bordit./Lajmi.net/