Të rinjtë gjilanas në protestë kundër ikjes nga vendi

Edhe pse pak të rinj kanë marrë pjesë në marshin e organizuar të Këshillit të Veprimit Rinor në Gjilan, megjithatë mesazhi që dhanë ata ishte i qartë. Arlinda Abdullahu, zëdhënëse, tha se synimi kryesor është që të ndikohet në parandalimin e ikjes masive. 

Lajme

28/12/2014 14:22

Qeveria duhet urgjentisht të krijojë kushte ose duhet të ikë. Tek e fundit, më mirë të ikë Qeveria sesa rinia, tha Abdullahu.

Motoja e protestës ishte ndalja e ikjes masive të të rinjve nga Kosova. Arlinda Abdullahu tha për rajonipress se kjo protestë erdhi si rezultat i ikjes së madhe që po ndodh para syve tanë. “Shumë të rinj gjilanas po e braktisnin vendin dhe kjo është shqetësuese dhe tepër brengosëse për ne. Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të krijojë kushte për jetesë më të mirë dhe të ofrojë vende të reja të punës. Mijëra e miliona euro po investohen për ministra e zëvendësministra e fare pak po investohet në fushën e punësimit. Tek e fundit, më mirë të ikë Qeveria se sa rinia. Motoja e jona është që më mirë protesto se sa të ikësh”, tha Abdullahu, raporton rajonipress.

Grupi i protestuesve do të jenë para teatrit të qytetit deri në orën 16.00. Protestën e ka përkrahur edhe Parlamenti Studentor.

Mehmet Zylfiu, kryetar i këtij parlamenti, tha se me vullnetin më të madh e kanë përkrahur protestën. “Jemi të shqetësuar sepse shumë kolegë po na ikin nga studimet. Është mirë që ato familje të shikojnë se çfarë po ndodh nëpër kampe”.

Arlinda Abdullahu tha se u bëjnë apel shteteve të BE-së që të mos i kthejnë këto familje në këtë kohë të rëndë dimri. (rajonipress)