Të rinjtë bëhen akterë të ndryshimit në komunitetin e tyre (Foto)
Katër të rinj nga Hani i Elezit, kanë vendosur që qytetit të tyre t’i japin pak jetë. Zymtësia që ka përfshirë këtë qytet sipas këtyre katër të rinjve është e madhe.

Lajme
Me artë dhe aktivitete që planifikojnë t’i zhvillojnë për tre muaj po shpresojnë se qyteti i tyre do të jetë më i gjallë dhe të rinjtë do të kenë mundësi ku të aktivizohen.
Nexhibja, Liridoni, Nesrina dhe Hajredini, që të gjithë të rinj nga Hani i Elezit, idenë për të ndryshuar qytetin e tyre po e kërkojnë te programi UPSHIFT, program ky që po realizon edicionin e dytë në Kosovë, i organizuar nga Laboratori për Inovacione i UNICEF-it në Kosovë.
Këtë mundësi po e kërkojnë 40 të rinj nga rajoni i Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, të cilët kanë zgjedhur metoda të ndryshme edukative dhe inovative për të dizajnuar dhe zgjidhur probleme të ndryshme shoqërore, probleme këto që janë identifikuar paraprakisht nga vetë ata.
Këta 40 të rinj janë të ndarë në dhjetë grupe dhe pesë prej grupe do të kenë mundësi të fitojnë dhe të marrin një shumë prej 2 mijë eurove për projektin e tyre.
Zymtësia e qytetit, mosinkuadrimi në shoqëri i fëmijëve me Down Sindrom, mos integrimi i komuniteteve në Shtërpcë, orientimi i mangët të rinjve në karrierë, martesat e hershme në komunitetin Rom, obeziteti tek të rinjtë, dhuna në institucionet shkollore, mungesa e vetëdijes për shëndetin optik dhe ndalimi i pjesëmarrjes së femrave të komuniteti romë në aktivitete shoqërore, janë dhjetë problemet që kanë zgjedhur të rinjtë pjesëmarrës në punëtorin e UPSHIFT-it.
Nesrina Kalisi nga Hani i Elezit, thotë se në vendin e saj do të mundohen që përmes artit të aktivizojnë të rinjtë dhe ta heqin zymtësinë që ka rënë në këtë qytet.
Nëse projekti i tyre do të dalë fitues në programin e UPSHIFT-it, do t’ua mundësojë të rinjve të Hanit të Elezit të kenë një qytet më të bukur dhe hapësira ku ata do të dalin dhe t’i frekuentojnë.
“E kemi pa si problem zymtësinë dhe kur themi ‘zymtësi’, e kemi parë se mungojnë hapësirat për të rinjtë ku përmes artit, ne jo vetëm shfaqim artë, piktura ose çka do tjetër, por edhe japim mesazhe senzibilizuese. Vendi ynë është shumë i vogël dhe në qytet nuk dalin shumë të rinj, sidomos nga gjinia femërore dhe kjo krijon një pabarazi gjinore. Nëpërmjet mesazheve që do të japim përmes artit, që të rinjtë ta frekuentojnë më shpesh qytetin me pas barazi gjinore dhe me qenë më të lirë”, thotë Nesrina.
Njëjtë flasin dhe kolegët e saj të grupit, ku në anën tjetër thonë se pjesëmarrja për ta në UPSHIFT, ka qenë një ndjenjë e mirë dhe eksperiencë e papërjetuar më parë.
Por jo vetëm për rajonin e Ferizajt, Kaçanikut apo Hanit të Elezit është organizuar një program i tillë. Në edicionin e parë ky program ka përfshirë dhe ka ndarë grante për të rinjtë e Gjakovës, Rahovecit dhe Deçanit.
E nuk do ndalet me kaq. Valon Nushi, koordinator i këtij programi thotë për KosovaPress, se UPSHIFT do të shkojë në secilin rajon të Kosovës, me synimin e zbutjes së papunësisë tek të rinjtë dhe shtimit të aktiviteteve që përfshijnë të rinjtë.
“Është e paraparë që në tri vitet e ardhshme të mbulojmë një numër sa më të madh të rinjve në Kosovë duke e marrë parasysh se 36 përqind e të rinjve prej moshës 16 – 24, jo vetëm se janë të papunësuar por ka edhe prej atyre që nuk shkojnë në shkolla dhe nuk bëjnë asgjë. Është një numër i madh dhe për këtë arsye po mundohemi që ta mbulojmë një numër sa më të madh në Kosovë për të ngritur punësimin dhe ngritjen e kapaciteteve të këtyre punësimeve”, thotë Nushi.
Koordinatori Nushi, nuk lenë anash pa treguar edhe interesin e të rinjve. Ai, thotë se të rinjtë në Kosovë kanë shumë vullnet ndërsa ndihma që u kanë dhënë, ka qenë vetëm shpjegimi rreth aplikimit në UPSHIFT.
“Ata kanë aplikuar vetë. Vetë i kanë përzgjedhur problematikat, ne vetëm u kemi dhënë udhëzime rreth aplikimit….. ata i kanë marrë dhe i kanë shiquar problemet se cilat janë më relevante por normalisht të lidhura me profesionet e tyre që do t’i bëjnë të ardhmen për të qenë të përgatitur në atë fushë ku ata do vazhdojnë të punojnë. Ata kanë aplikuar me çfarë kanë dashtë”, thotë tutje Nushi.
Se interesimi i të rinjve ka kaluar pritshmëritë e programit, flet njëri prej mentorëve që ka asistuar në monitorimin e grupeve. Lekë Zherka, ka pasur për detyrë që të monitorojë një grup nga Ferizaj, që për problem kanë paraqitur kequshqyerjen dhe obezitetin tek të rinjtë.
Ai, tregon për KosovaPress, se kjo temë është shumë pak e trajtuar në Kosovë dhe lavdon katër anëtarët e grupit të tij për interesin e treguar gjatë punimit të projektit.
“Grupi si grup ka marrë një problem shumë serioz dhe temë e cila nuk është shtjelluar më herët në Kosovë, dhe është Obeziteti. Grupi si grup ka punuar që më shumë se dy javë duke u marrë më shtjellimin e problemin….. sot po merren me zgjidhjen e një produkti apo një servisi i cili do ta ofrojnë përmes një platforme elektronike që do t’i ndihmojë qytetarët e Kosovës në informim dhe si t’i shmangen sëmundjes së obezitetit. Unë si mentor është dashur shumë pak me asistu dhe t’u jap iniciativa për shkak se iniciativën e kemi gjetur tek ta. Grupi si grup ka ardhë me ide dhe monitorimi jonë ka pas vetëm tek disa qasje teknike. Unë them me kënaqësi se të rinjtë në Kosovë kanë njohuri dhe aftësi që ta shtjellojnë një problem dhe të gjejnë zgjidhje për probleme”, thotë Zherka.
UPSHIFT, ka zgjuar interes edhe tek disa zyre të UNICEF-it nëpër botë. Për të parë se si po punohet dhe për të marrë idenë ka ardhë edhe Gulzhigit Ermatov nga Kirgistani, përfaqësues i zyrës së UNICEF-it në Kirgistan.
Ermatov, thotë se idenë e UPSHIFT-it do të mundohet ta implementojë edhe në vendin e tyre.
“………Qëllimi kryesor është shumë i dukshëm. Kam ardhë me e pa si implemetohet UPSHIFT-i, për të mundur ta marrim modelin dhe ta implemetojmë edhe në Kirgistan. Absolut. Është një punëtori që do ta adaptojmë në Kirgistan. Jemi shumë të emocionuar për të filluar me implementimin këtij lloj UPSHIFT-i edhe në Kirgistan. Zyra e UNICEF-it në Kirgistan e ka programin e rinisë dhe përveç programit UPSHIFT, po mendojmë me e marrë komplet programin e Inovation Lab”, thotë Ermatov.
“UPSHIFT Social Impact workshop” në Kosovë organizohet nga Laboratori për Inovacione në Kosovë (Innovations Lab Kosovo). UPSHIFT mbështetet po ashtu nga Agjencioni Austriakë për Zhvillim dhe implementohet nga organizata jo-qeveritare “PEN”.