Të konkretizohet lidhja speciale Kosovë-SHBA

Republika e Kosovës kërkon nga Qeveria Amerikane mbështetjen për një Plan Gjithëpërfshirës në Ekonomi, Arsim dhe Kapacitete Institucionale 2018-2028. (Për këtë qëllim, Kosova do të themelojë një ekip gjithëpërfshirës në nivel ekspertësh.

Opinion

04/07/2016 14:29

Shkruan: Burim Ramadani

Lidhja speciale midis Kosovës dhe SHBA-ve është historike dhe qytetare, bazuar në vlerat e lirisë, dinjitetit, paqes dhe demokracisë. Populli dhe institucionet e Kosovës janë përkrahësit më të fuqishëm për politikat amerikane të jashtme dhe të sigurisë, sikurse edhe për vlerat fundamentale demokratike.

Besoj se është momenti më i duhur që institucionet e Kosovës të drejtojnë edhe zyrtarisht kërkesat shtetërore për Qeverinë Amerikane:

  1. Republika e Kosovës kërkon nga Qeveria Amerikane vendosjen e prezencës së përhershme ushtarake. (Për këtë qëllim, Kosova i ofron hapësirën territoriale në mënyrë të plotë dhe të pakufizuar, si dhe merr përsipër përmbushjen e kornizës ligjore të nevojshme.)
  1. Republika e Kosovës kërkon nga Qeveria Amerikane mbështetjen për një Plan Gjithëpërfshirës në Ekonomi, Arsim dhe Kapacitete Institucionale 2018-2028. (Për këtë qëllim, Kosova do të themelojë një ekip gjithëpërfshirës në nivel ekspertësh.)
  1. Republika e Kosovës kërkon nga Qeveria Amerikane liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. (Për këtë qëllim, institucionet e Kosovës do të fillojnë shqyrtimin e detajshëm dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme.)
  1. Republika e Kosovës kërkon nga Qeveria Amerikane inkurajimin e ndërmarrjeve të fuqishme për investime direkte në Kosovë. (Për këtë qëllim, institucionet e Kosovës do të përgatisin planin gjithëpërfshirës për ofrimin e bashkë-investimit të arsyeshëm dhe dobiprurës në resurset natyrore të veçanta për Kosovën dhe rajonin.) Urime 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën!