Të kërkuarit në rastin “Laboratori 25” nuk iu caktua paraburgim, por dorëzani 25 mijë euro – Gjykata tregon arsyet, thonë se “iu morën pasaportat”
Burim Krasniqi, i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe pjesëmarrje në grup kriminal, ndonëse i kërkuar nga drejtësia për dy vite, nuk është dërguar prapa grilave për masën e paraburgimit. Krasniqi ishte arrestuar më 28 tetor 2026, ndaj të cilit Prokuroria Speciale të Kosovës (PSRK) kishte kërkuar që të dërgohet në masën…
Lajme
Burim Krasniqi, i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe pjesëmarrje në grup kriminal, ndonëse i kërkuar nga drejtësia për dy vite, nuk është dërguar prapa grilave për masën e paraburgimit.
Krasniqi ishte arrestuar më 28 tetor 2026, ndaj të cilit Prokuroria Speciale të Kosovës (PSRK) kishte kërkuar që të dërgohet në masën e paraburgimit për dy veprat penale.
Dyshimet janë se Krasniqi, së bashku me persona të tjerë, kanë përdorur materiale dhe kanë falsifikuar dokumente si pasaporta, leje të veturave, lejeqëndrimi, për persona nga 50 shtete të botës.
Mirëpo, gjyqtari Vesel Ismaili ia ka refuzuar këtë kërkesë për paraburgim Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Krasniqit i ka caktuar dorëzaninë (garancionin) në vlerë prej 25 mijë eurosh.
“I pandehuri Burim Krasniqi detyrohet që të paraqitet në çdo thirrje të gjykatës dhe organeve kompetente, të mos fshihet dhe të mos e braktisë vendqëndrimin e tij pa lejen paraprake të gjykatës, në përputhje me premtimin e dhënë dhe kushtet e masës së dorëzanisë”, shkruan në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Në lidhje me këtë vendim të Gjykatës, lajmi.net ka dërguar pyetje te Gjykata Themelore në Prishtinë të cilët kanë dhënë arsyen e këtij vendimi.
Sipas gjykatës vendimi për caktimin e masës së dorëzanisë në shumën prej 25 mijë eurosh dhe jo masës së paraburgimit, Gjykata ka thënë se ky vendim nuk përbën lirim nga përgjegjësia penale, pushim të hetimeve apo përfundim të procedurës.
“I pandehuri B.K. mbrohet në liri nën kushtet e dorëzanisë, ndërsa procedura penale ndaj tij vazhdon. Ai detyrohet t’i përgjigjet çdo thirrjeje të gjykatës dhe organeve kompetente, të mos fshihet dhe të mos e braktisë vendqëndrimin pa lejen paraprake të gjykatës. Gjithashtu, i janë sekuestruar përkohësisht të dyja pasaportat, ajo e Republikës së Kosovës dhe ajo e Suedisë. Në aktvendim janë përcaktuar edhe pasojat e shkeljes së këtyre detyrimeve, përfshirë mundësinë e heqjes së dorëzanisë dhe caktimit të paraburgimit, sipas kushteve ligjore”, ka thënë Gjykata.
Ata kanë thënë se Gjykata ka konstatuar ekzistimin e dyshimit të bazuar, por ka vlerësuar se nuk është dëshmuar domosdoshmëria e zbatimit të masës më të rëndë, përderisa qëllimi i sigurimit të pranisë së të pandehurit mund të arrihet përmes dorëzanisë dhe detyrimeve të caktuara.
“Rreziku i ikjes është shqyrtuar shprehimisht në aktvendim. Gjykata nuk e ka përjashtuar këtë rrezik, por ka vlerësuar mundësinë e menaxhimit të tij përmes masës së caktuar. Në këtë vlerësim i është dhënë rëndësi paraqitjes vullnetare të të pandehurit pranë organeve të drejtësisë dhe dorëzimit të të dyja pasaportave, dhe atë të Republikës së Kosovës dhe të shtetit Suedez, në ndërlidhje me rrethanat e tjera personale dhe procedurale”, thuhet në përgjigjet e Gjykatës Themelore në Prishtinë për lajmi.net.
Në lidhje me mundësinë e pengimit të hetimeve dhe përsëritjes së veprës penale, Gjykata ka thënë se ka marrë parasysh gjendjen e procedurës, dëgjimin e dëshmitarëve dhe të bashkëpandehurve të tjerë, si dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe materialeve relevante.
“Është marrë parasysh gjithashtu se të bashkëpandehurit e tjerë në të njëjtën çështje aktualisht mbrohen në liri. Këto rrethana janë vlerësuar së bashku dhe nuk janë trajtuar si përjashtim automatik nga paraburgimi. Kundër aktvendimit Prokuroria ka ushtruar ankesë dhe lënda është përcjellë në Gjykatën e Apelit të Kosovës për shqyrtim dhe vendosje lidhur me ankesën e paraqitur. Për këtë arsye, ky sqarim kufizohet në përmbajtjen dhe arsyetimin e vendimit të marrë, pa paragjykuar shqyrtimin e ankesës apo përgjegjësinë penale të të pandehurit”, kanë thënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, Krasniqi dyshohet se, nga koha e pacaktuar e deri më 24.01.2025, me qëllim të veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar dhe për përfitim të dobisë pasurore, së bashku me disa persona të tjerë, ka marrë pjesë në një grup kriminal që dyshohet se merrej me falsifikimin e dokumenteve publike, përfshirë pasaporta, karta identiteti, lejeqëndrimi dhe patentëshoferë, për mbi 50 shtete të ndryshme të botës.
Këto dokumente, sipas prokurorisë, disa kanë qenë të pambushura e disa të plotësuara me identitete të personave të caktuar.
Policia kishte rënë në gjurmë të “Shtëpisë Laborator” kur personi me emrin Flamur Krasniqi ishte ndaluar gjatë një kontrolli rutinë nga një patrullë e policisë, ku i ishin gjetur plot 16 çanta që përmbanin dokumente të ndryshme të paplotësuara, të plotësuara, si dhe materiale holografike që shërbejnë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Më 28.10.2026, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ndaluar për 48 orë të dyshuarin B.K., në kuadër të rastit “Laboratori ‘25”, që lidhet me falsifikimin e dokumenteve dhe krimin e organizuar.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, të datës 28.10.2026, B.K. dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.
Prokuroria Speciale kishte njoftuar se brenda afatit ligjor do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Rasti “Laboratori ‘25” lidhet me zbulimin e një shtëpie në Prishtinë, e cila, sipas autoriteteve, shërbente si laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë.
Sipas komunikatës së publikuar më 28.01.2025, Policia kishte ndaluar një automjet në Prishtinë më 24.01.2025, brenda të cilit ishin gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme.
Gjatë bastisjes, sipas njoftimit të vitit 2025, ishin sekuestruar makina laserike, printerë, mbi 20 mijë mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të botës. /Lajmi.net/