Të hënën vendimi për Çoçajn dhe dy mësimdhënësit

Të hënën në Gjykatën Themelore të Prizrenit do të vendoset për dënimin ose lirimin e Nexhat Çoçajt, Bekim Thaçit e Bedri Çekut.

Lajme

16/06/2016 21:59

Çoçaj, drejtor i Arsimit në Prizren dhe dy mësimdhënësit Thaçi e Çeku po gjykohen për keqpërdorim të manifestimit “Java e Remzi Ademajt” për pesë vjet rresht.

Sot në këtë gjykim u dha fjala përfundimtare e prokurorit dhe avokatëve të të akuzuarve.

Prokurori i shtetit Mehdi Sefa kërkoi dënimin e të akuzuarve.

“Kërkojmë nga trupi gjykues që të akuzuarit për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 422 të përshkruara si në dispozitivin 1 deri në 5 të aktakuzës të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, meqë në veprimet e tyre formohen të gjitha elementet e veprës penale në fjalë,” tha prokurori Sefa.

YouTube player

Kallëzimin penal të këtij rasti të bërë nga Lëvizja “Vetëvendosje”, avokati i Nexhat Çoçajt Bashkim Nevzati e quajti halucinacion të “Vetëvendosjes” në të cilin ka rënë edhe eksperti financiar.

Mbrojtja e të akuzuarve në tërësi e kundërshtoi aktakuzën e prokurorisë dhe kërkoi që në mungesë të provave trupi gjykues të marrë aktgjykim lirues.

“Nuk është vërtetu se në veprimet e të akuzuarit Nexhat Çoçaj, as individualisht e as si bashkëkryes nuk ekziston vepra penale, andaj në këto rrethana propozoj që i njëjti të lirohet nga akuza,” tha Nevzati.

Tre të akuzuarit iu bashkëngjitën fjalëve përfundimtare të mbrojtësve të tyre, me të cilat e kundërshtuan në tërësi aktakuzën e prokurorisë.

Trupi gjykues paralajmëroi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 20.06.2016.