Të hënën, Durrësi pret liderët e rajonit – Kosova në tryezën e integrimit evropian

Të hënën në Durrës do të mbahet Samiti i Iniciativës Brdo-Brioni, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani, në një takim të nivelit të lartë që synon të forcojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të diskutojë zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Samiti, i organizuar nga presidentët e Sllovenisë dhe…

Lajme

04/10/2025 18:47

Të hënën në Durrës do të mbahet Samiti i Iniciativës Brdo-Brioni, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani, në një takim të nivelit të lartë që synon të forcojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të diskutojë zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Samiti, i organizuar nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviç, dhe i drejtuar nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillohet nën moton:
“Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, raporton rtsh.al, transmeton lajmi.net.

Kosova, pjesë e angazhimit për reforma dhe integrim në BE

Në qendër të takimit do të jetë Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, që ka për qëllim përshpejtimin e reformave, integrimin ekonomik dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Sipas burimeve zyrtare, Kosova pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro nga ky plan. Fondet synojnë të mbështesin zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë dhe përgatitjen për anëtarësim në BE.

Pjesëmarrje e gjerë rajonale

Krahas Presidentes Osmani, në samit do të marrin pjesë edhe liderët e tjerë të vendeve të Iniciativës Brdo-Brioni, përfshirë:

  • Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç

  • Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç

  • Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova

  • Anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës

Gjatë samitit pritet të diskutohet jo vetëm për çështje ekonomike, por edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, stabilitetin politik dhe sigurinë në rajon.

Brdo-Brioni: Një nismë për integrim dhe stabilitet

Iniciativa Brdo-Brioni u krijua në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, me qëllim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së.
Kosova është pjesë e rregullt e këtij forumi, i cili mbahet çdo vit. Samiti i fundit u zhvillua në Mal të Zi, ku u theksua rëndësia e reformave dhe Agjendës së Gjelbër për rajonin.

Takimi i këtij viti në Durrës pritet të thellojë angazhimin e përbashkët të vendeve pjesëmarrëse, me fokus të veçantë në shfrytëzimin e fondeve evropiane dhe përshpejtimin e rrugës drejt integrimit./lajmi.net/