Të gjithë të akuzuarit në rastin Thaçi–Smakaj–Kilaj–Fazliu–Kuçi deklarohen të pafajshëm në Hagë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot kanë filluar deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të tjerëve: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u ngarkohen. Gjatë seancës, gjykatësi i ka informuar ata për të…
Lajme
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot kanë filluar deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të tjerëve: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u ngarkohen. Gjatë seancës, gjykatësi i ka informuar ata për të drejtat e tyre, duke përfshirë të drejtën për të mos pranuar fajësinë, të mos dëshmojnë, të mos inkriminojnë veten apo anëtarët e familjes, dhe të kenë mbrojtje ligjore, transmeton lajmi.net.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar, Smakaj dyshohet për tentim të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi Kilajn dhe Fazliun, ndërsa Kuçi akuzohet për dy pika të veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, ish-presidenti Thaçi akuzohet për tri vepra kundër rendit publik dhe tetë akuza për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, përfshirë tentim të pengimit të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ai dyshohet gjithashtu se ka bashkërenduar grupe për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte.
Seanca është në zhvillim e sipër dhe pritet që gjatë ditës të vazhdohet me leximin e akuzave dhe shpalosjen e argumenteve hyrëse nga Prokuroria./lajmi.net/