“Të gjitha palët të respektojnë vendimin dhe dinjitetin e viktimave” Ambasada gjermane thirrje të respektohet vendimi i Speciales, protestat paqësore janë formë legjitime e lirisë
Situatë e tensionuar është sot tek institucionet e vendit. Derisa në Kuvendin e Kosovës po votohet për disa projektligje, protestuesit jashtë vazhdojnë të hedhin mjete piroteknike në drejtim të objektit si dhe duke brohoritur kundër disa individëve të cilët shihen jashtë Kuvendit. E gjithë kjo përcillet me kërkesën që në Kuvend të votohet edhe në…
Lajme
Situatë e tensionuar është sot tek institucionet e vendit.
Derisa në Kuvendin e Kosovës po votohet për disa projektligje, protestuesit jashtë vazhdojnë të hedhin mjete piroteknike në drejtim të objektit si dhe duke brohoritur kundër disa individëve të cilët shihen jashtë Kuvendit.
E gjithë kjo përcillet me kërkesën që në Kuvend të votohet edhe në lexim të dytë Ligji për Specialen, i cili u votua në parim me 91 vota për.
E pikërisht sot, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për lajmi.net, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas vendimit të gjykatës dhe votimit të sotëm në Kuvend për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ambasada ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur dhe hibrid gjyqësor, i themeluar përmes ligjit të Kosovës dhe i ankoruar në Kushtetutën e vendit.
“Aktgjykimi është rezultat i një procesi gjyqësor të pavarur. Ai bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale dhe mund të apelohet para gjykatës së pavarur të apelit”,thuhet në përgjigje.
Deklarata e Ambasadës vjen në një ditë kur Kuvendi i Kosovës votoi për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke i hapur rrugë shqyrtimit të mëtejshëm të nismës së propozuar nga deputetët.
Gjatë seancës së sotme, propozuesit e projektligjit kanë argumentuar se ndryshimet synojnë rishikimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara dhe forcimin e mbikëqyrjes e llogaridhënies ndaj këtij institucioni. Ndërkohë, gjatë debatit pati qëndrime të ndryshme mes deputetëve lidhur me mënyrën dhe kohën e ndërhyrjes në ligj.
Ambasada Gjermane ka bërë të ditur se e konsideron respektimin e vendimit gjyqësor dhe dinjitetit të viktimave si çështje të rëndësishme.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë aktgjykimin dhe dinjitetin e viktimave”, thuhet në përgjigje.
Ambasada ka vlerësuar gjithashtu se themelimi i Dhomave të Specializuara ka qenë pjesë e përgjegjësisë së Kosovës për t’u përballur me krimet e luftës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Duke themeluar Dhomat e Specializuara, Kosova ka dëshmuar se po e përmbush përgjegjësinë e saj – përfshirë ballafaqimin me krimet e luftës – si shtet i pavarur dhe sovran. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë vendimin gjyqësor dhe dinjitetin e viktimave”,theksohet nga ambasada gjermane.
Sa i përket reagimit qytetar ndaj vendimeve të Speciales, Ambasada ka theksuar se protestat paqësore janë formë legjitime e lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike.
“Ambasada i konsideron protestat paqësore si një formë legjitime të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike”, u tha nga Ambasada.
Ndërkohë, procesi parlamentar për ndryshimin e ligjit pritet të vazhdojë me shqyrtimin e mëtejmë të projektligjit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ndryshimet e propozuara do të miratohen përfundimisht nga Kuvendi.
Qytetarët e Kosovës tash e 20 ditë, që nga vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin po qëndrojnë në sheshin “Skenderbeu”, fillimisht çdo natë ndërkaq që nga mbrëmë e kanë kaluar edhe natën aty.
Ata po protestojnë kundër këtij vendimi që po e konsiderojnë të padrejtë ndërsa kanë thënë se nuk do të ndalen derisa të ndryshohet vendimi.
Sot ata po qëndrojnë para Kuvendit duke kërkuar nga deputetët që të votohet edhe në lexim të dytë plotësim-ndryshimi për ligjin për Dhomat e Specializuara, dhe po i pengojnë deputetët që të dalin nga kjo seancë.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë i ka dënuar me 25 vite burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, 18 vite burgim për Kadri Veselin dhe 13 vite burgim për Rexhep Selimin. /Lajmi.net/