Të braktisur nga prindërit, por edhe nga shteti – 20 euro nuk jepen për fëmijët e braktisur, kërkohet që aplikimin ta bëjnë prindërit

Në Kosovë, shtesa prej 20 eurosh që u ndahet fëmijëve nga qeveria përmes skemës për përkrahje familjare, nuk arrin tek fëmijët që jetojnë në institucionet e kujdesit social. Shumë prej tyre pa përkujdesje prindërore, por edhe shtetërore vazhdojnë të jetojnë në vendin tonë pa marrë as shtesat e pakta të cilat u jepen fëmijëve që…

Lajme

20/06/2025 21:00

Zëdhënësi i SOS Fshatrave, Berat Kryeziu për lajmi.net ka thënë fëmijët që ndodhen nën përkujdesjen e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë aktualisht nuk janë përfitues të shtesave nga Qeveria e Kosovës.

Siç ka thënë Kryeziu, ata janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe ndonëse ka thënë se kanë hasur në mirëkuptim dhe gatishmëri nga ana e Qeverisë që edhe fëmijët në SOS Fshat të përfshihen në skemat mbështetëse, ata ende nuk i marrin këto shtesa nga 20 euro në muaj.

“Procesi aktual i aplikimit për shtesa parasheh që aplikimi të bëhet nga prindi, çka në rastin e fëmijëve nën kujdesin e SOS Fshatrave përbën një sfidë teknike. Kjo ka qenë pengesë për përfitimin e shtesave. Megjithatë, jemi në fazën përfundimtare të diskutimeve me institucionet për të gjetur një zgjidhje ligjore dhe administrative që do të mundësonte përfshirjen e këtyre fëmijëve në skemat sociale. Besojmë që së shpejti kjo çështje do të marrë një drejtim pozitiv”, ka thënë Kryeziu për lajmi.net.

Kryeziu ka thënë se në kuadër të programit të përkujdesjes afatgjatë familjare, në SOS Fshatra kanë nën kujdes 30 fëmijë pa përkujdesje prindërore, si dhe mbështesin edhe 11 të rinj pa përkujdes prindëror mbi 18 vjeç.

Ndonëse puna e tyre i bënë të jenë një ndër organizatat me misionin më human në vend, për funksionim të mirë iu duhen edhe financa e të cilat do të ishin të mirëpritura nga Qeveria e Kosovës.

Kryeziu ka thënë se SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë përfitojnë nga thirrjet publike për mbështetje financiare për projektet e OJQ-ve që shpallen nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Përkrahja që marrim, megjithëse jo e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha nevojat tona financiare, është një mbështetje e rëndësishme dhe në rritje”, ka thënë Kryeziu.

Në lidhje me këtë “kusht” që duhet ta plotësojnë fëmijët përfitues të shtesave nga Qeveria, lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në Ministri të Financave por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje dhe nuk dihet nëse ata po punojnë për të bërë një zgjidhje.

Numri i fëmijëve të braktisur në Kosovë, e saktësisht në QKUK ku edhe frymojnë për herë të parë këta fëmijë rritet nga viti në vit.

Gjatë vitit 2024, nga statistikat që ka siguruar lajmi.net nga Klinika e Neonatologjisë në QKUK, janë braktisur gjithsej 34 fëmijë, 18 prej tyre kanë bërë bashkim familjar, 16 kanë vazhduar me kujdes nga Enti Social komunal përkatës.

Nga Klinika e Neonatologjisë në QKUK, e cila është “shtëpia” e parë e këtyre fëmijëve të cilët fillojnë jetën vetëm, kanë thënë për lajmi.net se i marrin nën përkujdesje këta fëmijë menjëherë pas lindjes në Klinikën e Gjinekologjisë dhe pasi prindërit vendosin të mos i pranojnë fëmijët e tyre.

“Foshnja menjëherë sillet ne Klinikën tonë, dhe kalon nën përkujdesjen tonë sa i përket gjendjes shëndetësore dhe kujdesit rreth të ushqyerit, pastrimit, ndërrimit e të gjitha nevojat e tjera për 28 ditë, ndërsa në disa raste edhe më tepër për fëmijët që kanë nevojë për tretman ose ndihmën të mëtejme”, kanë thënë nga Klinika e Neonatologjisë.

Mes tjerash ata kanë sqaruar për lajmi.net se në kuadër të Klinikes së Gjinekologjisë është e angazhuar një punonjëse e cila vepron si ndërmjetësuese mes institucioneve sociale komunale dhe Klinikës së Neonatologjisë për sigurimin e kujdesit të mëtejmë nga Enti Social.

Numri i fëmijëve të braktisur në Kosovë, rritet nga viti në vit dhe ndonëse përkujdesja e tyre është e vështirë nga kushdo që është kujdestari i tyre, ata përballen me një padrejtësi duke mos përfituar as shtesat mujore të Qeverisë, të cilat ndonëse janë pak, mund t’iu shërbejnë atyre për diçka të caktuar. /Lajmi.net/