Tarifat e bursës shqiptare mbeten të njëjta deri në vitin 2028

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka bërë të ditur se deri në vitin 2028 nuk do të ketë ngritje të tarifave të bursës shqiptare të energjisë elektrike. Këto tarifa nuk kanë efekt të drejtpërdrejtë në çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët, pasi paguhen nga kompanitë që tregtojnë energji elektrike. Paralelisht me këtë proces,…

Lajme

02/02/2026 20:15

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka bërë të ditur se deri në vitin 2028 nuk do të ketë ngritje të tarifave të bursës shqiptare të energjisë elektrike.

Këto tarifa nuk kanë efekt të drejtpërdrejtë në çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët, pasi paguhen nga kompanitë që tregtojnë energji elektrike.

Paralelisht me këtë proces, ky institucion është duke shqyrtuar edhe tarifat e reja të energjisë elektrike, vendimi për të cilat pritet të merret në muajin mars.

ZRRE ka pranuar aplikacionet për të hyrat e lejuara maksimale nga operatorët e licencuar KOSTT, KEDS dhe KESCO, në kuadër të procesit të rregullt tarifor për vitin 2026. Pas përfundimit të vlerësimit, propozimet do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejme, përfshirë konsultimin publik, para marrjes së çdo vendimi përfundimtar.

“ZRRE ka pranuar aplikacionet për të hyrat e lejuara maksimale nga operatorët e licencuar KOSTT, KEDS dhe KESCO, në kuadër të procesit të rregullt tarifor për vitin 2026. Të gjitha aplikacionet e dorëzuara janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut. Pas përfundimit të vlerësimit, raportet përkatëse dhe propozimet tarifore do të publikohen dhe do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejme, përfshirë konsultimin publik, para marrjes së çdo vendimi përfundimtar”, thuhet në njoftim.

KESCO, ditë më parë, ka kërkuar ngritje të tarifave të energjisë elektrike për 21 për qind, për shkak të rritjes së shpenzimeve. Ky operator ka theksuar se vetëm gjatë muajit janar importi i energjisë elektrike ka arritur në mbi 17.2 milionë euro.

“Ka ndodhur që në orë të caktuara të importohet mbi 50 për qind e energjisë elektrike. Derisa të kalojë stinori i dimrit, sfida më e madhe do të jetë përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje. Ne vazhdimisht bëjmë thirrje për kursim dhe zhvillojmë fushata informuese për t’i njoftuar konsumatorët se sa i rëndësishëm është kursimi, jo vetëm për sistemin energjetik, por edhe për xhepin e qytetarëve”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që Korporata Energjetike e Kosovës të vazhdojë të jetë furnizues i mundësisë së fundit edhe për tre vjet./rtk