Tani është tepër vonë

Jakup Krasniqi i përgjigjet ftesës së Hajredin Kuçit për bashkim me PDK. Thotë se tani është tepër vonë.

Lajme

11/12/2013 21:50

Jakup Krasniqi i është përgjigjur menjëherë Nënkryetarit të PDK’së, Hajredin Kuçi, i cili, gjatë intervistës për Rubikon të KTV’së, deklaroi se Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj mund të kthehen në pozitat që kishin në PDK, duke shtuar se të gjithë në parti kanë një disponim për unitet dhe jo për përçarje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Ish Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook disa nga arsyet që kanë ndikuar në ndarjen e rrugëve mes tyre.

“Qe disa nga arsyet e ndarjes së rrugëve me drejtuesin (pronarin) e gjithëpushtetshëm të PDK-së. Nuk ka e as ka pasur ndarje për inate personale. Ndarja është kryekreje konceptuale.”

Sipas Krasniqit, ishin pesë momentet kyçe të kësaj ndarje.

“1. Zgjedhjet e fundit (2010) për Kuvendin e Kosovës dhe mënyra e zgjedhjeve të deputetëve nga komisionarët e PDK-së”.

“2. Mënyra se si u bë koalicioni dhe dhurimi i posteve, si i Presidentit ashtu dhe ato në kabinetin qeveritar, etj”.

“3. Qasja ndaj sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe procesit të privatizimit (për këtë proces kemi pasur dallime edhe në kohën kur ne ishim në opozitë, e sidomos ndaj privatizimit të Feronikelit), por edhe më vonë”.

“4. Qasja ndaj bisedimeve, Thaçi as nuk dëshironte të bisedohej kjo çështje si duhet, ai impononte mendimin e vet duke u thirrur te faktori ndërkombëtar dhe kështu ngufaste çdo mendim apo ide ndryshe”.

“5. Imponimi i zgjedhjeve të brendshme në PDK pa bërë asnjë përgatitje paraprake. Në fakt, nuk ishte qëllimi i zgjedhjeve, qëllimi ishte i eliminimi i kuadrove që kishin njëfarë uni e dinjiteti politik e intelektual e njerëzor dhe kjo u bë më shumë me emërime se sa me zgjedhje.”

Jakup Krasniqi ka thënë se këto ishin disa nga arsyet kryesore që çuan në ndarjen e domosdoshme të rrugëve.

“Zgjedhjet e fundit për pushtet lokal, kur u pa se qytetari di të flasë e di të ndëshkojë, sikur e kanë kthjellur të parin e partisë, i cili kur humb, i porosit të tjerët të flasin, gjë që nuk është e panjohur për publikun. Tani është vonë, madje tepër vonë”, ka shkruar Krasniqi.