Taksisti i dyshuar për sulm seksual në Gjilan ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak – Prokuroria jep detaje
Një rast i sulmit seksual ka ndodhur më 6 korrik 2025, ku një taksist në Gjilan ka sulmuar seksualisht një pasagjere. Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh të datës 7 korrik, ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar. “Gjilan / 06.07.2025 – 15:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për…

Lajme
Një rast i sulmit seksual ka ndodhur më 6 korrik 2025, ku një taksist në Gjilan ka sulmuar seksualisht një pasagjere.
Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh të datës 7 korrik, ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar.
“Gjilan / 06.07.2025 – 15:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se e ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, pati njoftuar Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka thënë sot për lajmi.net se i dyshuari, Refik Basha është nën masën e arrestit shtëpiak.
“Duke u bazuar në kërkesën tuaj, të parashtruar me date 7 korrik 2025, përmes email-it zyrtar të Prokurorisë Themelore në Gjilan, ju njoftojmë se, në lidhje me rastin, ndaj të dyshuarit Refik Basha, i cili dyshohet për veprën penale ‘’ Sulm seksual ’’, nga neni 229 i KPK-së, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, i njejti është nën masën e arrestit shtëpiak dhe rasti është duke u trajtuar”, ka thënë Prokuroria Themelore në Gjilan.
Siç ka raportuar gazeta Sinjali, viktima, P.L. 35 vjeçare, ka deklaruar se më 6 korrik 2025, rreth orës 15:50, derisa ishte duke udhëtuar me një veturë taksie të kompanisë “Shaqa”, është sulmuar seksualisht nga drejtuesi i mjetit, i identifikuar si Refik Basha, 58 vjeçar.
Sipas viktimës, sapo ka zbritur nga vetura, ka shkuar drejt në stacionin policor për të raportuar rastin.